back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 16 Janar, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaDrejtësia shqiptare në koma/ Joana Qeleshi jep alarmin: 40 mijë dosje të...

Drejtësia shqiptare në koma/ Joana Qeleshi jep alarmin: 40 mijë dosje të bllokuara në Apel

Vrasja e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit më 6 tetor, ka shkaktuar tronditje të thellë jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por në gjithë shoqërinë shqiptare.

Për kryetaren e Dhomës së Avokatisë, Joana Qeleshi, kjo ngjarje e rëndë duhet të shërbejë si një alarm për institucionet, që sipas saj duhet të marrin masa urgjente për garantimin e sigurisë dhe përmirësimin e funksionimit të gjykatave.

E ftuar në emisionin “Studio Live” në Report Tv, Qeleshi theksoi se një nga problemet kryesore të sistemit gjyqësor mbetet zgjatja e proceseve gjyqësore, çka ndikon drejtpërdrejt tek qytetarët. Ajo shpjegoi se ngarkesa e tepërt në gjykata lidhet me numrin e pamjaftueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët nuk arrijnë të përballojnë fluksin e çështjeve.

“Është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm sistemin e drejtësisë, por të gjithë shoqërinë. Institucionet duhet që të marrin masa të menjëhershme. Gjykatat kanë detyrimin që të japin drejtësi duke zbatuar ligjet, por ngarkesa e sotme vjen nga numri i ulët i gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse e kanë të pamundur që t’i shqyrtojnë. Kur ke një ngarkesë të madhe, kjo përkthehet në mosrespektim të afateve dhe tejzgjatje të proceseve. Në Gjykatën Civile të Apelit, çështjet civile presin deri në 5-6 vite për shqyrtim,” tha Qeleshi.

Kryetarja e Dhomës së Avokatisë nënvizoi gjithashtu se siguria në gjykata duhet të jetë maksimale. Ajo kërkoi që detektorët e metalit të jenë funksionalë dhe se siguria nuk duhet të mbështetet vetëm tek policia private, por të garantohet nga Policia e Shtetit.

“Pjesa brenda gjykatës garantohet nga polici private, por është kërkuar që siguria të ofrohet nga Policia e Shtetit, e cila është e pajisur me armë dhe mund të ndërhyjë në kohë. Po ashtu, duhet të jenë në funksion të plotë pajisjet e dedektimit, për të kontrolluar çdo person që hyn në sallë,” u shpreh ajo.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Qeleshi është edhe numri i madh i çështjeve të pashqyrtuara në Gjykatën e Apelit. Aktualisht, kjo gjykatë ka mbi 40 mijë çështje të mbetura pezull, ndërkohë që disponon vetëm 30 gjyqtarë, ndërsa sipas saj, numri minimal duhet të ishte të paktën 75.

“Kur u krijua një Apel i vetëm nga gjashtë që ishin më parë, të gjitha çështjet u grumbulluan aty. Por kur merren reforma të tilla, duhet të shoqërohen edhe me masa për garantimin e kushteve të punës. Nëse ke një gjykatë të vetme Apeli, duhet të rrisësh edhe numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve,” shtoi Qeleshi.

Në fund, ajo komentoi edhe sulmet që shpesh vijnë nga politika ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke theksuar se një diskurs i tillë ndikon negativisht në perceptimin e publikut për drejtësinë.

“Çfarëdo lloj anatemizimi, qoftë nga politika apo kushdo tjetër, ndikon në perceptimin e publikut për sistemin e drejtësisë. Ulet besueshmëria e qytetarëve dhe krijohet një klimë mosbesimi. Krijimi i një kulture respekti për institucionet dhe profesionet e drejtësisë është thelbësor,” tha ajo.

Ngjarja tragjike e 6 tetorit, ku gjyqtari Kalaja humbi jetën në sallën e gjyqit, ka rikthyer në vëmendje problematikat e sigurisë dhe ngarkesës së gjykatave shqiptare, duke hapur debatin për reforma të tjera urgjente në sistemin e drejtësisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat