Këshilli i Ministrave ka vendosur që disa shërbime të portalit qeveritar e-Albania të ofrohen me tarifa. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe prek shërbime të ndryshme që ofrohen për qytetarët, bizneset dhe nëpunësit e administratës publike.
Shërbimet që do të jenë me pagesë përfshijnë:
-
Dokumentet me nënshkrim elektronik
-
Dokumentet me vulë elektronike
-
Çertifikatat elektronike për fiskalizim
-
Transaksionet në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG)
Pagesa bëhet elektronikisht në momentin e aplikimit dhe të gjitha të ardhurat do të derdhen 100% në buxhetin e shtetit.
Tarifat e shërbimeve në e-Albania
| Shërbimi | Për bizneset | Për qytetarët | Afati / Periodiciteti |
|---|---|---|---|
| Nënshkrimi elektronik | 4,800 lekë/vit | 2,000 lekë/vit | 1 vit |
| Vulë elektronike | 20 lekë/transaksion | — | Çdo muaj për numrin e transaksioneve |
| Çertifikata elektronike për fiskalizim | 4,000 lekë/vit | — | 1 vit |
| Transaksion në GG | 15 lekë/transaksion | — | Çdo muaj për numrin e transaksioneve |
Për nëpunësit e administratës publike me vetëfinancim, nënshkrimi elektronik kushton 4,800 lekë për një vit. Shërbimet për institucionet shtetërore ofrohen me tarifë zero lekë.
Ky vendim bazohet në nenin 100 të Kushtetutës dhe ligjin nr.43/2023 “Për qeverisjen elektronike”. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ngarkohet me zbatimin e këtij vendimi.
Vendimi synon të mbështesë qeverisjen elektronike, duke rregulluar pagesat për shërbime që deri më tani ishin falas për subjektet private dhe qytetarët, duke garantuar transparencë dhe derdhjen e të gjitha të ardhurave në buxhetin e shtetit.



