back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 16 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaDokumente/ Aeroporti i Vlorës si garanci financiare për një fond offshor

Dokumente/ Aeroporti i Vlorës si garanci financiare për një fond offshor

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është hipotekuar si garanci financiare kundrejt një marrëveshjeje huaje midis Mabco Constructions S.A. dhe Delphos Securities SARL, për një shumë prej 100 milionë eurosh, marrë nga Behgjet Pacolli në mars të këtij viti.

Dokumenti i siguruar nga gazeta Tema tregon një kontratë kredie (Facility Agreement) midis huamarrësit Mabco Constructions S.A. dhe huadhënësit Delphos Securities SARL, Compartment Bernina, e datës 26 mars 2025.

Shuma totale e huasë është 100 milionë euro, nga të cilat 97 milionë euro janë angazhuar aktualisht, dhe qëllimi i saj formal është financimi i ndërtimit dhe operimit të Aeroportit të Vlorës, si dhe mbulimi i shpenzimeve të përgjithshme korporative të projektit.

Kushtet financiare dhe tarifat

Kontrata përcakton interesin fillestar prej 7.625% në vit, me periudha vjetore pas disbursimit të kredisë. Në rast vonese, interesi shkon nga 9.625% deri në 13.625%, në varësi të kohëzgjatjes së mospagimit. Pagesa e këstit duhet të kryhet çdo vit, me detyrim për të shlyer të paktën 20% të shumës së huasë në çdo vit të fundit të periudhës së huasë.

Tarifat shtesë përfshijnë:

Tarifë strukturuese: 1% e shumës së huasë, zbritur që në disbursimin e parë

Tarifë monitorimi: 0.25% e shumës së mbetur, paguhet çdo vit

Tarifë parashlyerjeje: 2% e shumës së mbetur nëse paguhet përpara vitit të pestë

Kushtet paraprake dhe kolaterali

Huadhënësi ka vendosur si kusht dorëzimin e dokumenteve ligjore, licencave, marrëveshjeve të koncesionit dhe garancive, miratimin nga autoritetet shqiptare dhe dorëzimin e pasqyrave financiare të VIA-s.

Paketa e sigurisë përfshin:

Garanci mbi të ardhurat e Aeroportit, përfshirë ato me garanci qeveritare

Garanci mbi llogaritë e projektit në Shqipëri

Prioritet të kolateralit si “first-ranking security interest”

Një marrëveshje anësore (Side Letter) parashikon që VIA të bëhet bashkëhuamarrës pas fillimit të projektit, pa kërkuar miratim të qeverisë shqiptare. Kjo ka krijuar shqetësime për anashkalimin e kontrollit të shtetit mbi koncesionin dhe mundësinë e përfundimit të tij në një fond investimesh offshore, me investitorë rusë dhe kazakë në sfond.

Ngjarjet e mospagimit dhe kontrollet financiare

Situatat që mund të aktivizojnë klauzolën e parakohshme të shlyerjes përfshijnë:

Mospagesa e detyrimeve financiare

Shkelja e kushteve të marrëveshjes

Ndryshimi i kontrollit të Behgjet Pacollit mbi Mabco

Huamarrësi është i detyruar të dorëzojë pasqyrat financiare të ndërmjetme dhe vjetore, të respektojë ligjet kundër korrupsionit dhe sanksioneve ndërkombëtare, dhe të përdorë fondet vetëm për projektin e aeroportit.

Financim apo kontroll?

Edhe pse Facility Agreement paraqitet si marrëveshje kredie, strukturat dhe termat e saj tregojnë se qëllimi real nuk është thjesht financimi, por kontrolli ekonomik dhe operacional mbi aeroportin.

Huadhënësi ka marrë kontroll mbi:

Të ardhurat dhe llogaritë bankare

Vendimet statutore dhe koncesionare

Mundësinë për të marrë kontrollin përmes klauzolave të “default”-it

Mekanizmi i “Accession Letter” i jep shoqërisë koncesionare mundësinë të kthehet në huamarrëse, duke humbur pavarësinë financiare. Në thelb, kjo marrëveshje vepron si shitje e maskuar e aksioneve, duke kaluar kontrollin real të aeroportit tek kreditori, ndërsa aksionarët mbeten formalë.

Hijet mbi huadhënësin

Delphos Securities SARL, formalisht e regjistruar në Luksemburg, përfaqësohet nga Bart Turtelboom, i cili ka përvojë në financa ndërkombëtare dhe transaksione me Rusinë dhe tregjet në zhvillim.

Struktura e saj offshore sugjeron që pas saj mund të qëndrojnë investitorë nga Kazakistani dhe Rusia, duke ngritur pyetje mbi transparencën dhe kontrollin e projektit strategjik të Aeroportit të Vlorës.

Ky rast ngre shqetësime serioze për pavarësinë e projektit, kontrollin e qeverisë shqiptare mbi koncesionin dhe ndikimin e investitorëve të huaj. Edhe pse formalizimi duket si financim kredie, efektivisht marrëveshja mund të rezultojë në transferimin e kontrollit ekonomik dhe operacional mbi Aeroportin e Vlorës tek kreditori.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat