Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht protestave që kanë përfshirë Tiranën javët e fundit. Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, kreu i qeverisë thekson se ndryshimi i pushtetit në një demokraci duhet të bëhet përmes zgjedhjeve dhe jo përmes dhunës në rrugë.
I pyetur nëse do të largohet nga drejtimi i vendit, Rama përgjigjet prerë: “Jo”, duke argumentuar se qeveria ka marrë një mandat nga qytetarët në zgjedhjet e vitit të kaluar dhe se synon ta përmbushë atë.
“Çdokush mund të kërkojë dorëheqjen time; kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me dhunë”, shprehet kryeministri.
Rama pranon shqetësimet e studentëve
Gjatë intervistës, Rama ndalet edhe te kërkesat e protestuesve për arsim më të mirë, luftë kundër korrupsionit dhe ulje të kostos së jetesës. Ai pranon se pakënaqësitë e të rinjve për këto çështje janë të bazuara dhe se qeveria duhet të japë përgjigje konkrete.
“Nuk kam pretenduar kurrë se gjithçka në Shqipëri është bërë siç duhet”, deklaron Rama, duke shtuar se të rinjtë nuk duhet të kënaqen me atë që është arritur deri më tani.
Kryeministri paralajmëron se buxheti i vitit 2027, i cili pritet të paraqitet së shpejti, do të përfshijë masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët. Ai thotë gjithashtu se ka ftuar studentë dhe pedagogë në një dialog të hapur dhe se është i gatshëm të shqyrtojë propozime konkrete, edhe nga kritikët e qeverisë.
Megjithatë, Rama bën një dallim mes studentëve që kërkojnë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe grupeve të personave të maskuar, të cilët i akuzon për sulme ndaj ndërtesave publike dhe dëmtim të pronës private.
Në këtë kontekst, ai përmend edhe individë që, sipas pretendimit të tij, kanë lidhje me lëvizjen Antifa, duke i lidhur me përdorimin e dhunës gjatë protestave.
“Një pakicë mendon se vënia e flakës vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”, shprehet kryeministri.
“Lufta kundër korrupsionit është në kompetencën e drejtësisë”
Sa i përket kërkesave për luftë kundër korrupsionit, Rama argumenton se kjo është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë dhe jo e grupeve që përdorin dhunën gjatë protestave.
Ai thekson se detyra e qeverisë është të dëgjojë ankesat e qytetarëve, të mbrojë të drejtat e tyre dhe të vijojë punën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në qëndrimin e tij për “Kathimerini”, kryeministri nuk lë hapësirë për një largim të parakohshëm nga detyra, duke e lidhur legjitimitetin e qeverisë me mandatin e marrë në zgjedhje.



