back to top
19.5 C
Tirana
E martë, 28 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetAnëtarësim pa fuqi vote/ Propozimi i ri i Ramës për BE-në

Anëtarësim pa fuqi vote/ Propozimi i ri i Ramës për BE-në

Shqipëria është e gatshme të bëhet pjesë e Bashkimit Europian edhe pa të drejtë vetoje në vendimmarrjet e Brukselit. Deklarata e pazakontë u bë nga kryeministri Edi Rama gjatë një paneli ndërkombëtar në Londër me temë “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të vendeve të rajonit dhe të institucioneve europiane.

Sipas Ramës, Shqipëria synon të hapë të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në brenda pak kohësh dhe t’i mbyllë ato për dy vite, ndërsa objektivi strategjik mbetet anëtarësimi i plotë në vitin 2030.

Por për herë të parë, kreu i qeverisë shqiptare artikuloi publikisht një ide që tejkalon formulën tradicionale të anëtarësimit: hyrjen në BE edhe me një status të përkohshëm, pa të drejtë vetoje dhe votimi, derisa Unioni të kryejë reformën e tij të brendshme.

“Ka një dëshpërim shumë të qartë mes vendeve anëtare të BE-së, veçanërisht atyre të mëdha, për shkak të barazisë në tryezë dhe nevojës për konsensus në çdo çështje. Mund ta imagjinoj kur të na shohin edhe ne dhe të thonë ‘jo, jo, s’na duhen më shumë që mund të sjellin telashe’. Për një kohë të gjatë kam thënë se marrja jonë si anëtar me një status ndryshe është e mirëpritur – pa të drejtë vetoje, pa të drejtë votimi – derisa BE të reformojë veten. Ne do të ishim plotësisht dakord,” deklaroi Rama.

Në fjalën e tij, kryeministri u përpoq të shpjegojë logjikën politike të qëndrimit të ri, duke theksuar se Shqipëria tashmë vepron në përputhje të plotë me politikën e jashtme të Unionit.

“Kur vjen fjala për përputhshmërinë me politikën e jashtme të BE-së, ne jemi në një linjë të plotë me Brukselin. Të njëjtën gjë bëjmë edhe në NATO. Ne jemi një vend i vogël dhe nuk kemi pretendim për të diktuar vendime – përkundrazi, është mirë që jemi pjesë e suksesit dhe jo përgjegjës për dështimet,” shtoi ai.

Rama solli në vëmendje edhe pabarazinë ekonomike mes vendeve anëtare dhe atyre kandidate, duke kërkuar që procesi i integrimit të mos mbetet në logjikën “gjithçka ose asgjë”.

“Vendet anëtare përreth nesh marrin nga BE 4,500 euro për frymë në vit, ndërsa për ne kontributi është vetëm 160–170 euro për frymë. Kjo është e pamundur. Për këtë arsye kemi avokatuar për planin e ri të rritjes që sjell fonde shtesë për vendet e rajonit,” tha kryeministri.

Deklaratat e Ramës janë pritur me interes në qarqet diplomatike, pasi ngrenë një debat të ri mbi mënyrën se si vendet e Ballkanit Perëndimor mund të afrohen me BE-në pa pritur përfundimin e reformave të brendshme të Unionit.

Në këtë mënyrë, Tirana zyrtare sinjalizon se është e gatshme të pranojë një “anëtarësim fazor”, që do t’i lejonte Shqipërisë përfitime ekonomike dhe politike nga BE-ja, edhe nëse përkohësisht nuk do të kishte fuqi vetoje në vendimmarrje.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat