Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën për lirim nga burgu të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për aferën e inceneratorëve.
Vendimi është dhënë nga gjyqtari Erjon Bani, i cili ka refuzuar kërkesën e paraqitur nga Koka më 13 tetor 2025, ku ish-ministri kërkonte shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg”, me argumentin se kishte kaluar afati 3-vjeçar i paraburgimit për çështjen e inceneratorit të Fierit.
Në vendimin nr. 656, datë 24.10.2025, GJKKO vendosi:
Rrëzimin e kërkesës së Lefter Kokës;
Ngarkimin e kërkuesit me shpenzimet gjyqësore;
Të drejtën për ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit.
Dënimet për çështjet e inceneratorëve
Lefter Koka ndodhet në qeli që prej dhjetorit të vitit 2021, pasi është shpallur fajtor në dy dosje të bujshme të inceneratorëve:
Për inceneratorin e Elbasanit, ai është dënuar me 5 vjet e 8 muaj burg nga GJKKO.
Për inceneratorin e Fierit, është dënuar me 6.8 vite heqje lirie.
Megjithatë, në korrik 2025, ish-ministri kishte fituar të drejtën e lirimit me kusht për dënimin e parë, atë të Elbasanit, pas një vendimi të Gjykatës së Durrësit.
Kërkesa e fundit kishte të bënte me zgjatjen e paraburgimit për çështjen e Fierit, për të cilën Koka pretendonte se kishte kaluar afati ligjor i parashikuar nga neni 263/3 i Kodit të Procedurës Penale.
Megjithatë, GJKKO nuk e pranoi argumentin dhe vendosi ta mbajë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Vendimi i sotëm mund të ankimohet brenda 5 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.



