Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Shoqata e Prokurorëve ka dorëzuar zyrtarisht në Ministrinë e Drejtësisë një analizë të detajuar mbi ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke kërkuar rishikimin thelbësor të projektligjit. Sipas Shoqatës, ndërhyrjet e parashikuara krijojnë problematika kushtetuese, ligjore dhe praktike dhe nuk duhet të miratohen në formën aktuale.
Projektligji përmban 106 nene dhe ndërhyn në më shumë se 90 dispozita të Kodit të Procedurës Penale, duke prekur pothuajse të gjitha fazat e procedimit penal. Ndryshimet lidhen drejtpërdrejt me mënyrën e hetimit të veprave penale, sigurimin e provave dhe garantimin e të drejtave të individëve që përfshihen në procesin penal.
Në analizën e saj, Shoqata e Prokurorëve ngre shqetësimin se disa prej ndryshimeve të propozuara mund të sjellin ndarje të paqartë të kompetencave dhe përgjegjësive gjatë hetimit. Po ashtu, sipas saj, rregullimet e reja rrezikojnë të ekspozojnë para kohe provat dhe burimet e tyre, të vonojnë sigurimin e tyre, veçanërisht provat dixhitale, si dhe të çojnë në përjashtimin automatik të provave për shkak të mangësive formale që mund të riparohen.
Shoqata vlerëson se këto problematika nuk do të preknin vetëm punën e prokurorisë, por do të kishin pasoja edhe për viktimat e veprave penale, familjarët e tyre, personat nën hetim dhe shoqërinë në tërësi.
Në qëndrimin e saj, Shoqata thekson se mbështet përmirësimin e legjislacionit dhe forcimin e garancive për të drejtat dhe liritë themelore. Megjithatë, sipas saj, mbrojtja e të pandehurve, efektiviteti i hetimeve dhe mbrojtja e viktimave duhet të garantohen njëkohësisht dhe jo të vendosen në kundërshtim me njëra-tjetrën.
Përpara miratimit të ndryshimeve, prokurorët kërkojnë që të përcaktohen qartë problemet konkrete që synon të zgjidhë projektligji, të dhënat që provojnë ekzistencën e tyre dhe mënyra se si ndërhyrjet e propozuara do t’u japin përgjigje këtyre problematikave. Po ashtu, kërkohet një vlerësim i plotë i ndikimit të ndryshimeve mbi institucionet e drejtësisë dhe kapacitetet e tyre për zbatimin e ligjit.



