Kryeministri Edi Rama njoftoi këtë të premte përmes një postimi në rrjetet sociale se në fund të këtij viti do të hapen për qarkullim 6 kilometrat e parë të superstradës Tiranë-Durrës.
Rama shkruan se punimet në dy fazat e para për zgjerimin e aksit me dy korsi kanë avancuar ndjeshëm, ndërsa hapja e këtij segmenti do të lehtësojë lëvizjen e automjeteve dhe do t’i sigurojë kryeqytetit një hyrje dinjitoze.
“Po vijon gjithashtu puna për elementët e tjerë të projektit, me qëllim që të përfundohet e gjithë kjo vepër shumëpritur,” shkruan kryeministri Rama.
Superstrada Tiranë-Durrës, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të vendit, pritet të përmirësojë ndjeshëm trafikun dhe transportin në aksin kryesor mes kryeqytetit dhe portit të Durrësit, duke zvogëluar kohën e udhëtimit dhe rritur sigurinë rrugore.



