Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi për herë të parë projektbuxhetin e vitit 2026. Dokumenti i miratuar tashmë nga Këshilli i Ministrave parashikon 886.7 miliardë lekë shpenzime publike dhe vjen me premtime për rritje të mirëqenies sociale, përmirësim të infrastrukturës dhe digjitalizim të shërbimeve publike.
Gjatë prezantimit, ministri Malaj theksoi se buxheti për vitin e ardhshëm është ndërtuar mbi tre shtylla kryesore: forcimin e financave publike, zbatimin e planit të rritjes ekonomike dhe ngritjen e standardeve të jetesës për qytetarët.
“Projektbuxheti 2026 reflekton qartë prioritetet e programit të qeverisë 2025-2029 për financa publike më të shëndosha, zhvillim gjithëpërfshirës të ekonomisë dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve tanë. Me 886.7 miliardë lekë shpenzime, fokusi do të jetë te mirëqenia sociale, investimet për infrastrukturë moderne, zhvillimi i energjisë së gjelbër dhe kapitalit njerëzor,” – deklaroi Malaj.
Debat mbi mungesën e paketës fiskale
Por mbledhja nuk kaloi pa tensione. Opozita refuzoi miratimin e kalendarit për shqyrtimin e buxhetit, duke kërkuar që paketa fiskale të vijë paralelisht me projektligjin e buxhetit. Deputetja demokrate Jorida Tabaku theksoi se është e papranueshme që Kuvendi të diskutojë një buxhet që bazohet mbi të ardhura nga një paketë fiskale ende e padërguar.
“Çfarë do të miratojmë ne kur ende nuk ka ardhur paketa fiskale, edhe pse në projektbuxhet janë parashikuar të ardhura që rriten prej saj?”, – u shpreh Tabaku.
Në përgjigje, ministri Malaj sqaroi se paketa fiskale është ende në fazë konsultimi me grupet e interesit dhe faktorin ndërkombëtar, pasi përfshin përafrimin e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Europian. Ai siguroi se paketa do të dorëzohet në Kuvend brenda javës së ardhshme.
“Paketa fiskale është në konsultim me grupet e interesit dhe me faktorin ndërkombëtar. Po bëjmë përafrimin e legjislacionit tatimor e doganor me direktivat e BE-së. Do vijë në Kuvend gjatë javës së ardhshme, pa ndryshime thelbësore në paletën fiskale,” – sqaroi ministri.
Debatit iu bashkua edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili propozoi që shqyrtimi i buxhetit të shtyhet për javën tjetër, në mënyrë që të paraqitet njëherazi me paketën fiskale. Ai theksoi se kjo është një praktikë e respektuar ndër vite dhe se përjashtimi i saj cenon Kushtetutën dhe transparencën buxhetore.
“Konferenca e Kryetarëve nuk ka pranuar kurrë prezantimin e buxhetit pa ardhur paketa fiskale. Ju ftoj të respektoni Kushtetutën. Nëse ministria kërkon një javë kohë, le ta shtyjmë shqyrtimin, që të kemi të dyja paketat bashkë,” – tha Bardhi.
Peleshi dhe Balla: Nuk kushtëzohet prezantimi me paketën fiskale
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e mazhorancës u shprehën se ligjërisht prezantimi i buxhetit nuk kushtëzohet me paketën fiskale. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Niko Peleshi, tha se procedura lejon që diskutimi i buxhetit të nisë edhe pa përfunduar konsultimet për paketën fiskale.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ironizoi debatet e opozitës duke thënë se qeveria mund edhe të mos e sjellë fare paketën fiskale nëse e konsideron të panevojshme, pasi buxheti mund të funksionojë mbi bazën e politikave ekzistuese tatimore.
“Qeveria mund të vendosë që s’do e sjellë fare,” – u shpreh Balla, duke ndezur debat në sallë.
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve përfundoi pa një vendim përfundimtar mbi kalendarin e shqyrtimit, ndërsa mazhoranca pritet të vendosë në ditët në vijim nëse do ta dërgojë buxhetin në komisionet parlamentare pa paketën fiskale apo do të presë dorëzimin e saj javën tjetër.
Projektbuxheti 2026, me një vlerë rekord shpenzimesh, parashikon rritje të investimeve publike, forcim të sistemit shëndetësor, digjitalizim të administratës dhe mbështetje për energjinë e pastër. Por debati për transparencën dhe mënyrën e hartimit të tij pritet të mbetet në qendër të përplasjes politike gjatë gjithë sezonit parlamentar të vjeshtës.



