Gazetari dhe botuesi Nikoll Lesi ka shprehur shqetësim për gjendjen politike në vend, duke theksuar se “problemi më i madh i demokracisë shqiptare është opozita”.
Në një intervistë në emisionin “Shqipëria Live” me gazetaren Sidorela Gjoni, Lesi komentoi protestën e thirrur nga Sali Berisha jashtë ambienteve të Kuvendit, ku sipas tij pjesëmarrja ishte minimale dhe treguese për mungesën e besimit ndaj liderit të opozitës.
“Me gjithë këto zhvillime që kanë ndodhur në qeveri, me SPAK dhe PS, mendova se do ishte një protestë madhështore. As 100 veta nuk ishin. Këto janë pamje që të krijojnë ndjesinë se kjo opozitë ka mbaruar”, u shpreh ai.
Sipas Lesit, edhe pse mazhoranca socialiste ndodhet në një situatë të vështirë për shkak të hetimeve ndaj disa zyrtarëve të lartë, opozita nuk po arrin të ngjallë frymë e besim tek qytetarët.
“Me këtë lider opozita nuk vjen kurrë në pushtet. Ndaj rri Rama në pushtet. Me ministër të arrestuar, zv.kryeministër në arrati dhe zv.kryeministre në hetim, duhej të kishte protesta me 100 mijë veta. Por nuk ka opozitë, nuk ka alternativë”, tha Lesi.
Ai shtoi se edhe në rast se vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme, opozita sërish do të humbiste për shkak të mungesës së lidershipit dhe alternativës.
Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese që riktheu Erion Veliajn në detyrë si kryebashkiak i Tiranës, Lesi tha se “ishte më mirë që zgjedhjet nuk u mbajtën, pasi PS do t’i fitonte sërish”.
Gazetari theksoi gjithashtu se vendimi i Kushtetueses dhe hetimet e SPAK ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku tregojnë se “Rama nuk i ka të kapura të gjitha pushtetet”, duke e cilësuar këtë si “një goditje të fortë për qeverinë”.
Në vijim, Lesi deklaroi se mes Edi Ramës dhe Sali Berishës ekziston një “marrëveshje nën tavolinë”, ku “njëri bën sikur qeveris dhe tjetri sikur bën opozitë”.
“Pashë sot deputetë të PD që shkonin në Kuvend me makina 150 mijë euro. Si më bindin mua këta njerëz për ndryshim? Janë të dy palët në një marrëveshje të fshehtë,” shtoi ai.
Në fund, duke komentuar kandidaturën e aktorit Florjan Binaj për Bashkinë e Tiranës, Lesi u shpreh:
“Flori është djalë i mirë, artist i shkëlqyer, por në 2027 PD nuk do ta mbështesë. Do gjejë një tjetër emër dhe një tjetër sebep.”



