Ish-kryeministri dhe deputeti Sali Berisha mohoi të ketë fyer ndonjë ambasador gjatë debatit për ligjin e barazisë gjinore dhe kërkoi sërish nga ambasadori Gonzato të tregojë se cilën direktivë të Bashkimit Europian mbështet ky ligj.
Në një deklaratë për media, Berisha tha se ekspertë të njohur i kanë konfirmuar se asnjë nga direktivat e BE nuk përdor terminologjinë e “përkatësisë së shumëfishtë gjinore”, duke theksuar se ato mbeten në binaritetin burrë-grua.
“Jam kundër çdo forme diskriminimi dhe pabarazie, por jam në mënyrë kategorike kundër çdo përpjekje për të riformatuar binaritetin e gjinisë, Kushtetutën dhe kodet e vendit, të cilat sanksionojnë këtë binaritet si themel juridik të rendit kushtetues,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se çdo interpretim që tejkalon këtë binaritet është problem i atij që e bën, ndërsa vetë do të vazhdojë të shprehë hapur mendimet e tij në çdo rast.



