back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 14 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitetMeta rrëfen prapaskenat me Nanon, Berishën dhe Ramën/ “Marrëveshja që do të...

Meta rrëfen prapaskenat me Nanon, Berishën dhe Ramën/ “Marrëveshja që do të ndryshonte historinë”

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka folur për herë të parë pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, një prej figurave më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar dhe themelues i Partisë Socialiste.

Në një intervistë për “Syri TV”, Meta e përshkroi vdekjen e Nanos si një “ikje të parakohshme, edhe pse jo të papritur”, duke theksuar se ndarja e tij nga jeta “ka lënë një boshllëk të ndjeshëm në politikën shqiptare”.

Meta: Rama e shfrytëzoi ceremoninë mortore për sulme politike

Ish-presidenti shprehu indinjatë të fortë ndaj mënyrës si, sipas tij, kryeministri Edi Rama e përdori funeralin e Nanos për “përfitime politike”.
“Për mua ishte e turpshme të dëgjoje ‘palloshin e gjatë’, siç e cilësojnë edhe burime të SPAK-ut, që keqpërdorte një ceremoni mortore për të sulmuar ata që burgosën Fatosin në vitin 1993. Ai që sot ka burgosur, proceduar penalisht e rrëmbyer në mënyrë mafioze drejtuesit e opozitës, flet për mëshirë dhe pajtim kombëtar. Kjo është për të vjellë”, u shpreh Meta me tone të ashpra.

Sipas tij, “vetëm një njeri i zi si Edi Rama mund të përdorë një ceremoni të tillë për të nxitur emocione negative dhe për të bërë politikë me vdekjen e një njeriu që ka dhënë shumë për Shqipërinë”.

“Nano nuk e zgjodhi ndarjen me mua, e zgjodhën të tjerët që e ndikonin”

Meta foli edhe për raportin e ndërlikuar me Nanon, me të cilin ka ndarë vite bashkëpunimi e përplasjeje në PS.
“Për të qenë korrekt me historinë, ndarjen nuk e zgjodha unë, por Fatosi, ose më saktë ata që e ndikonin atë për interesa të tyre personale. Kongresi i PS u kthye në farsë kur u hoq votimi i fshehtë dhe shumë figura u përjashtuan padrejtësisht”, tha Meta.

Ai kujtoi edhe marrëveshjen e vitit 2002 me Nanon dhe Berishën, e cila – sipas tij – do ta kishte bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian shumë më herët.
“Nano donte të ishte President, unë Kryeministër dhe kryetar i PS. Por unë nuk pranova, sepse nuk ishte në përputhje me kërkesat e Parlamentit Europian. Më pas u arrit marrëveshja me Berishën për kandidaturën e Alfred Moisiut, që hapi rrugën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”, sqaroi Meta.

Kujtimet personale: Nano kishte kulturë dhe një nënë të mrekullueshme

Në një ton më personal, Meta solli kujtime nga periudha kur Nano ishte në burg.
“E mbaj mend qartë ditën kur shkuam në Bënçë për t’i dhënë lajmin e ndarjes nga jeta të nënës së tij, zonjës Marije, një grua e shquar nga familja Shuteriqi. Ishim shumë të prekur, por fatmirësisht ai u lejua të merrte pjesë në ceremoninë mortore”, tregoi Meta, duke shtuar se “Nano kishte një kulturë të gjithanshme dhe një horizont të gjerë, që i mungon politikës së sotme”.

Meta u ndal edhe te burgosja e Nanos në vitet ‘90, duke e quajtur “një proces të keqpërdorur nga politika e brendshme dhe ndërkombëtare”.
Sipas tij, “arrestimi i Nanos ishte pjesë e një lufte politike në Itali që synonte të godiste socialistët e atjeshëm si Bettino Craxi e Gianni De Michelis, dhe më pas u transferua në Shqipëri”.
Ai kujtoi gjithashtu se edhe vetë ishte në shënjestër për arrestim në 1992, por shpëtoi “falë integritetit të disa drejtuesve të drejtësisë që refuzuan të firmosnin akuza të rreme”.

“Shqipëria nuk është tualeti i askujt”

Në fund të intervistës, Meta e shfrytëzoi momentin për të sulmuar ashpër qeverinë aktuale, duke e cilësuar “narkoshtet që kërkon të asgjësojë pluralizmin politik dhe familjen shqiptare”.
“Çdo shtëpi ka një tualet, por Shqipëria nuk duhet të jetë tualeti i askujt. Kombi ynë ka ekzistuar përpara NATO-s dhe BE-së dhe do të mbijetojë sërish, sepse nuk jemi racë që shuhemi”, tha ai.

Meta përfundoi me një mesazh simbolik, duke përmendur figura historike si Vasil Laçi dhe Mujo Ulqinaku, të cilët sipas tij përfaqësojnë “dinjitetin e një kombi që nuk përkulet kurrë”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat