Partia Demokratike ka bojkotuar sot mbledhjet e të gjitha komisioneve parlamentare ku pritet të diskutohet projektbuxheti i vitit 2026, ndërsa deputetja Jorida Tabaku ka zgjedhur të adresojë kritikat e saj përmes një reagimi në rrjetet sociale.
Sipas Tabakut, buxheti i propozuar nga qeveria nuk u shërben qytetarëve, sipërmarrjes apo familjeve shqiptare. Deputetja thekson se ekonomia shqiptare po bëhet gjithnjë e më e brishtë, eksportet janë në rënie dhe sektorë të rëndësishëm si bujqësia dhe fasoneria po përballen me krizë të dukshme.
Në postimin e saj, Tabaku shkruan:
“Çfarë ofron ky buxhet për qytetarët? Ky nuk është as buxheti i pensionistëve, as buxheti i sipërmarrjes, as buxheti i qytetarëve, as buxheti i familjeve shqiptare. Ky është thjesht një buxhet rutinë, që nuk sjell asnjë model të ri ekonomik dhe asnjë shtysë për një ekonomi shqiptare që është bërë gjithnjë e më e brishtë.”
Ajo shton se modeli ekonomik shqiptar nuk prodhon më, ndërsa Shqipëria nuk mund të ketë një ekonomi betoni. Sipas saj, eksportet janë në rënie, bujqësia është në krizë dhe sektori i fasonëve, dikur mbështetës i eksporteve dhe punësimit, po humbet influencën e tij.
Deputetja thekson se buxheti nuk jep zgjidhje për këto probleme dhe nuk ofron shpresë për ekonominë. “A sjell një model të ri ekonomik që Shqipëria e ka kaq shumë të nevojshëm? Përgjigjja është e qartë: absolutisht jo,” shkruan Tabaku.
Problemet e evidentuara nga PD
Tabaku gjithashtu nënvizon dy problematika kryesore të buxhetit:
Ekonomia informale që vazhdon të pengojë të ardhurat reale;
Emigrimi i lartë, që dobëson fuqinë punëtore dhe zhvillimin ekonomik.
Ajo thekson se, pavarësisht rritjes së taksave vit pas viti, të ardhurat e buxhetit mbeten vetëm 28% e Produktit të Brendshëm Bruto, duke treguar sipas saj dështimin e modelit aktual ekonomik të qeverisë.



