KreuAktualitetPolitikaNga krimi te tenderët dhe presioni mbi votuesit/ Spiropali: Përgjegjësia është e...

Nga krimi te tenderët dhe presioni mbi votuesit/ Spiropali: Përgjegjësia është e Ramës

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka dalë me deklarata të forta në emisionin “Opinion”, ku ka kritikuar mënyrën e ushtrimit të pushtetit nga mazhoranca dhe ka drejtuar përgjegjësinë te kryeministri Edi Rama.

Duke folur për problematikat e procesit zgjedhor, Spiropali pranoi se në Shqipëri ka deformim të votës, duke e lidhur këtë fenomen me fuqinë e pushtetit dhe presionin që, sipas saj, ushtrohet veçanërisht në zonat periferike.

Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për përfshirjen e elementëve të krimit, korrupsionin dhe përdorimin e burimeve shtetërore, përfshirë tenderët, si mekanizma që ndikojnë në funksionimin e sistemit zgjedhor.

“Deformim të votës ka, sepse forca e pushtetit është aq e madhe, dhe mbi të gjitha në periferitë e largëta, presioni i pushtetit është shumë i madh. Ka elementë të krimit, korrupsionit, ka elementë të përdorimit të mjeteve të pushtetit, të tenderëve dhe shumëçka tjetër në këtë sistem”, u shpreh Spiropali.

Ish-ministrja kërkoi gjithashtu një reformë zgjedhore që do të mundësonte kalimin drejt sistemit proporcional me lista të hapura, duke e konsideruar ndryshimin e sistemit elektoral si një nga hapat e nevojshëm për të adresuar deformimin e votës.

Ajo kritikoi edhe mënyrën se si mazhoranca është përballur me protestuesit dhe opozitën, duke thënë se duhej të ishte zgjedhur dialogu dhe t’i jepej më shumë hapësirë kundërshtarëve politikë.

“Ne duhet të uleshim me protestuesit, t’i jepnim hapësirë opozitës, të bënim një reformë zgjedhore me sistem proporcional me lista të hapura”, deklaroi ajo.

Në deklaratat e saj, Spiropali ia atribuoi Edi Ramës përgjegjësinë për problematikat e sistemit, si në cilësinë e kryeministrit, ashtu edhe të kryetarit të Partisë Socialiste. Sipas saj, përgjegjësia e drejtimit të vendit duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi për korrigjimin e këtyre fenomeneve.

“Edi Rama ka përgjegjësinë si për të parë problematikat, ashtu edhe për t’i ndryshuar ato. Është kryeministri dhe kryetar i PS-së. Atdheu të mos trajtohet si pronë private”, tha Spiropali.

Ajo e cilësoi personalizimin ekstrem të pushtetit si një nga problemet kryesore të modelit aktual të qeverisjes, ndërsa deklaroi se do të vijojë angazhimin për ndryshimin dhe evoluimin e sistemit.

“Jam në betejë për ta ndryshuar dhe për ta evoluar sistemin. Unë jam ajo që kam qenë dhe do të jem. Përgjegjësia më e madhe është modeli i personalizimit ekstrem të pushtetit”, përfundoi Spiropali.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat