Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se opozita parlamentare po përballet me një privim sistematik të të drejtave kushtetuese për të kontrolluar ekzekutivin dhe zbatimin e ligjit.
Berisha tha se sot u mbajt një mbledhje jashtë radhe e grupit parlamentar, për shkak të një situate të jashtëzakonshme të krijuar nga qeveria. Sipas tij, qeveria Rama ka për qëllim të asgjësojë opozitën politikisht, duke e shndërruar atë në një instrument pa vlerë për qytetarët.
10 seanca pa debat për opozitën
Ish-kryeministri u shpreh se në 10 seanca parlamentare të fundit, opozita ka pasur mundësi të debatojë vetëm në një rast, gjatë diskutimeve për institucionet e drejtësisë. Në të gjitha seancat e tjera, tha Berisha, qeveria ka mohuar opozitës çdo mundësi për debat, përfshirë projektet e buxhetit, miratimin e Këshillit të Ministrave dhe ligjet e ndryshme.
Ai shtoi se, përkundër përpjekjeve serioze të opozitës në komisionet parlamentare dhe sugjerimeve të paraqitura për të mbrojtur interesat e qytetarëve, kur çështjet kalojnë në aulën e parlamentit, qeveria mbyll mikrofonat dhe pengon shprehjen e tyre.
Mungesa e interpelancave dhe komisioneve hetimore
Berisha theksoi se ministrat dhe zyrtarët e qeverisë kanë refuzuar interpelancat dhe paraqitjen në komisione, duke i zëvendësuar me zëvendësministra apo drejtorë, të cilët nuk mund të japin përgjigje të plota.
Ai akuzoi qeverinë se po trajton opozitën si një vasale, duke i mohuar të drejtat kushtetuese dhe detyrën për të kontrolluar ekzekutivin dhe zbatimin e ligjit, duke shkelur rregulloren e parlamentit dhe Kushtetutën.



