Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Deputetja socialiste Elisa Spiropali ka reaguar për procedimin penal të regjistruar nga SPAK, ku përfshihet edhe bashkëshorti i saj, Salarjon Totaj. E pyetur nga gazetarët për hetimet dhe raportimet se një restorant në pronësi të bashkëshortit të saj në zonën e Bllokut është objekt verifikimi, Spiropali nuk dha detaje konkrete, por deklaroi se nuk ka asgjë për të fshehur.
Gjatë konferencës për mediat, ajo e cilësoi zhurmën e krijuar rreth kallëzimit si një përpjekje për shantazh politik, duke theksuar se nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e saj.
“Jo një kallëzim të ketë në SPAK, por të gjithë ata, se dihet kush janë, anonimë ose jo, të vihen në rresht e të bëjnë 100 kallëzime, se s’e kam pikën e problemit. Kur e kam nisur këtë betejë, e kam ditur mirë se çfarë vjen. Një, pesë, dhjetë kallëzime, le të bëjnë çfarë të duan. Mos e përfshini SPAK-un në këtë diskutim. Sa të duan të bëjnë kallëzime, unë nuk kam asgjë për të fshehur. Këtë betejë e kam bërë se nuk jam e shantazhueshme. Nuk më bëjnë dot mua asnjë shantazh”, deklaroi Spiropali.
Ajo theksoi se përplasja e saj publike nuk ka qenë personale, por lidhet me atë që e konsideron përdorim të institucioneve për të ushtruar presion ndaj zërave kundërshtues.
E pyetur për çështjen që lidhet me familjen e saj, Spiropali u shpreh se është krenare për familjen dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga beteja politike që ka nisur.
“Jam krenare për familjen time. Këtë luftë politike e kemi marrë përsipër dhe do ta bëjmë”, tha ajo.
Në të njëjtën kohë, deputetja u kujdes të ndante SPAK-un nga debati politik, duke e cilësuar Prokurorinë e Posaçme si një institucion që duhet mbrojtur nga ndikimi politik.
“SPAK-u është një aset i çmuar i Shqipërisë. Patjetër që duhet mbrojtur. Patjetër që i duhen garantuar të gjitha kushtet për çdo punë që ka të bëjë me drejtësinë. SPAK-u është një institucion që duhet ruajtur nga ndikimi politik”, u shpreh Spiropali.
Procedimi penal është regjistruar pas një kallëzimi ku përfshihen Spiropali, bashkëshorti i saj dhe tre persona të tjerë. Sipas raportimeve mediatike, kallëzimi përmban pretendime për mosdeklarim apo fshehje pasurie, deklarim të rremë, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe korrupsion. Këto janë pretendime që po verifikohen dhe nuk përbëjnë fakte të provuara për fajësi.



