Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një thirrje të fortë për mobilizim kombëtar, duke theksuar se protesta dhe qëndresa paqësore janë e vetmja rrugë për të shpëtuar Shqipërinë nga, siç e cilëson ai, “pushtimi i egër i brendshëm” i regjimit të Edi Ramës.
Në një takim me drejtues të PD-së, Berisha paralajmëroi se vendi po përballet me një krizë të thellë shoqërore dhe demografike. “Një milion shqiptarë janë larguar vetëm në hapësirën europiane nga viti 2014 deri në 2023. Shqipërisë i duhen 60 vite të rikuperojë këtë humbje. Sot kemi treguesin e lindshmërisë që kishim 100 vite më parë,” tha ai.
Sipas Berishës, Shqipëria po përballet me pasojat e “narkoshtetit dhe diktaturës autoritare të Ramës”, që kanë shkatërruar ekonominë, parlamentin dhe besimin te demokracia. Ai e cilësoi situatën dramatike dhe u bëri thirrje qytetarëve që e duan vendin të mos heshtin.
“Përveç protestës dhe kryengritjes paqësore, asnjë mjet tjetër nuk mund ta shpëtojë Shqipërinë. Të bëjmë atë që kanë bërë kombet e shtypura kundër diktaturave: të ngrihemi, të qëndrojmë, të mos dorëzohemi,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se qindra mijëra shqiptarë janë të gatshëm të qëndrojnë përballë padrejtësive dhe shtypjes, duke shtuar se PD do të vazhdojë të udhëheqë rezistencën demokratike.
Në përfundim, Berisha akuzoi shumicën qeverisëse se ka shndërruar Kuvendin në një “letër të vdekur” dhe po shmang çdo debat për të fshehur dështimet. “Në parlament, vetëm një ditë kanë lejuar debat në dhjetë seanca. Kjo nuk ka ndodhur kurrë,” tha ai.
“Ne nuk do të tërhiqemi kurrë. Cilido që të jetë çmimi, do ta paguajmë për lirinë dhe demokracinë,” deklaroi Berisha.



