back to top
17.5 C
Tirana
E premte, 14 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitetAbuzim me iniciativat ligjore/ Deputetë të rinj firmosin nisma që nuk kanë...

Abuzim me iniciativat ligjore/ Deputetë të rinj firmosin nisma që nuk kanë hartuar

Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka nxjerrë në pah një praktikë problematike që vazhdon të ndodhë në Parlamentin shqiptar: përdorimi i emrave të deputetëve për të legjitimuar nisma ligjore që nuk janë të tyre.

Sipas monitorimit të ISP-së, gjatë legjislaturës së kaluar dhe tashmë edhe në këtë legjislaturë, ka raste kur deputetë të rinj firmosin draft-ligje për ndryshime ligjore, pa qenë pjesë e procesit të hartimit apo konsultimeve. Një rast tipik është ndryshimi i ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, ku nisma ishte përgatitur nga një grup ekspertësh dhe Sekretariati Teknik i Komisionit të Posaçëm Parlamentar, me asistencën e Këshillit të Europës.

Megjithatë, deputetë të rinj, që nuk kishin marrë pjesë në konsultime apo përgatitje, firmosin ligjin duke e kaluar në procedurë parlamentare si nismë e tyre. ISP e konsideron këtë praktikë jo transparente, abuzive dhe problematike për cilësinë e legjislacionit, pasi ligje të tilla mund të jenë rezultat i porosive politike ose interesave të ngushta, dhe jo i nevojave të qytetarëve apo ekspertizës profesionale.

“Dy deputetë mund të kenë firmosur me porosi të kryesisë së grupit parlamentar, por në memorien parlamentare duhet të mbahet shënim se ata nuk janë iniciues faktikë të ligjit,” thekson ISP. “Nisma ligjore nuk përfaqëson kërkesat e elektoratit dhe nuk lidhet me mandatin e tyre parlamentar.”

Gjatë legjislaturës së kaluar, ISP ka identifikuar 12 raste të tilla nismash ligjore fiktive, dhe praktika po vazhdon. Instituti apelon për më shumë transparencë dhe llogaridhënie: deputetët duhet të firmosin vetëm nisma që janë të tyre dhe publiku duhet të dijë se kush është sponsori real i një ligji, si hartohet dhe kush mban përgjegjësi.

“Transparenca dhe llogaridhënia janë themeli i një Parlamenti me integritet. Shqipëria meriton një Parlament që respekton këto parime,” përfundon ISP.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat