UEFA ka publikuar emrat e gjyqtarëve që do të vendosin drejtësi në sfidën Shqipëri-Angli, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, që do të luhet të dielën në orën 18:00 në stadiumin “Air Albania”.
Italiani Marco Guida do të jetë arbitri kryesor i ndeshjes, ndërsa Giorgio Peretti dhe Alessio Berti do të jenë asistentët e tij. Simone Sozza do të jetë gjyqtar i katërt, ndërsa Marco Di Bello gjyqtar i VAR-it.
Guida ka arbitruar finalen e Kupës së Shqipërisë, Kukësi-Laçi në sezonin 2015-2016. Është hera e parë që gjyqatri italian arbitron një ndeshje të Shqipërisë, por së fundmi ka gjykuar ndeshjen Kosovë-Slloveni (0-0) e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.



