Ish-kryeministri dhe kreu i PD, Sali Berisha, ka reaguar ashpër lidhur me licencimin e një banke të Bitcoin offshore nga qeveria e Edi Ramës, duke e cilësuar këtë si një rrezik të madh për ekonominë shqiptare.
Në një deklaratë publike, Berisha tha se nuk ekziston segment apo qelizë e shtetit që Rama nuk do ta përdorë për përfitime personale. “Komenti im i vetëm është ky: që Edi Rama gjithçka do ta përdorë për të vjedhur. Ju e lexuat pak këtë skandalin me kompaninë Kayo. Sapo i doli koka. Asgjë tjetër nuk ka ky, vetëm të vjedhë dhe të vjedhë,” deklaroi ai.
Berisha kritikoi edhe vendimin për licencimin e bankës së Bitcoin në formë offshore, duke theksuar se kjo veprimtari është jashtëzakonisht e rrezikshme për ekonominë shqiptare. Ai shprehu habitjen e tij pse banka nuk u regjistrua dhe nuk funksionon onshore, si çdo institucion tjetër financiar.
“U dorëzua guvernatori i Bankës dhe edhe bordi i saj, pas një rezistence disavjeçare ndaj presionit të tmerrshëm të Edi Ramës. Kjo bankë është një provë e qartë e tentativës së kryeministrit për të fituar përfitime personale dhe për të pasuruar vetveten,” tha Berisha.



