Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ish-kandidatja për deputete e Partisë Demokratike dhe anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilirjana Kuçana, është vënë nën hetim në lidhje me protestat e zhvilluara ditët e fundit në Shqipëri.
Raportohet sendaj Kuçanës po kryhen hetime për dyshime që lidhen me përfshirjen e të miturve në veprimtari që dëmtojnë zhvillimin e tyre mendor ose fizik. Sipas të njëjtave burime, hetimet kanë nisur pas grumbullimit të provave dhe materialeve që ngrenë dyshime se gjatë protestës janë angazhuar ose nxitur të mitur për të marrë pjesë.
Pas ngjarjes, Kuçana ka reaguar publikisht, duke i cilësuar veprimet ndaj saj si një “inskenim të pastër”, të cilin ia atribuon Taulant Ballës. Ajo pretendon se gjatë protestës studentore, ku thotë se ishte e pranishme si pedagoge dhe qytetare, u rrethua dhe u shoqërua me dhunë nga policë të maskuar, të cilët, sipas saj, nuk mbanin numra identifikimi.
Kuçana pretendon gjithashtu se u mbajt për tetë orë në komisariat dhe se iu mohua e drejta për të njoftuar familjen. Ajo ka mohuar akuzat se ka nxitur dhunë apo u ka kërkuar studentëve të braktisin mësimin, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Në reagimin e saj, ajo kundërshton edhe pretendimet publike për një çantë me granata, duke deklaruar se, sipas saj, asgjë nuk u provua gjatë shoqërimit në komisariat.
“Unë jam promotore e dijes, jo e dhunës”, shkruan Kuçana, e cila e lidh atë që e quan sulm ndaj saj me qëndrimet e saj politike dhe mbështetjen për të rinjtë që protestojnë. Ajo deklaron se do të vijojë të marrë pjesë në protesta.
Ndërkohë, strukturat hetimore po vijojnë verifikimet për të sqaruar rrethanat dhe për të përcaktuar nëse ka përgjegjësi ligjore. Pretendimet e Kuçanës për mënyrën e shoqërimit dhe motivet që ajo i atribuon këtij veprimi nuk përbëjnë, në vetvete, konstatime të verifikuara në mënyrë të pavarur.



