Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar sot një skandal të madh lidhur me Paketën e Maleve, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shndërruar këtë paketë në një instrument në favor të drogës dhe mafies.
Në një konferencë për shtyp, Berisha ka paralajmëruar se do të paraqesë dokumente dhe fakte “të pakundërshtueshme” që, sipas tij, tregojnë se Rama ka deformuar qëllimisht ligjin për të favorizuar interesa kriminale në vend.
“Para se të paraqes dokumentet, duhet t’u rikujtoj qytetarëve shqiptarë se Shqipëria ka lartësinë mesatare më të lartë në Europë, jo për shkak të majave më të larta të kontinentit, por për shkak të numrit të madh të majave të larta. Lartësia mesatare e vendit shkon deri në 708 metra. Por Paketën e Maleve Edi Rama e ka zbresur në lartësinë 10 metra mbi nivelin e detit, me lartësinë maksimale deri në 100 metra. Kështu, ajo që ishte një paketë për zonat malore, është shndërruar në paketën e drogës dhe mafies,” tha Berisha.
Sipas tij, në vendimin e miratuar nga qeveria, janë përfshirë 20 zona që zakonisht janë bregdetare, të shpallura gabimisht si malore. Berisha ka listuar zonat dhe sipërfaqet e tyre, duke argumentuar se shumica e tyre nuk kanë karakteristika malore dhe janë pjesë e zonave kodrinore apo bregdetare.
Disa nga zonat e përfshira sipas PD-së:
Maminas, Rubjek: Zona zhvillimore 1 me sipërfaqe 169.56 ha, zona zhvillimore 2 me sipërfaqe 3.88 ha, zona zhvillimore 3 me sipërfaqe 4.48 ha.
Maminas, Karrec dhe Karpen: Sipërfaqe nga 1.86 ha deri në 32.15 ha, për disa nënzona.
Maminas, Metallë: Zona me sipërfaqe nga 1.4 ha deri në 5.1 ha, përfshirë disa nënzona të shpallura gabimisht malore.
Gjepalaj, Shetël-Likesh, Çizmeli, Kënetë-Shtrazë dhe Tërzie: Sipërfaqe nga 1.98 ha deri në 18.36 ha.
Berisha shpjegon se sipas vendimit të qeverisë, këto zona kanë lartësi mesatare 30 metra dhe lartësinë maksimale 100 metra mbi nivelin e detit, shumë larg lartësive të maleve të vërteta. Ai thekson se ky ndryshim i qëllimshëm favorizon zhvillime të paligjshme dhe aktivitet të mafies në bregdet dhe kodrina.
“20 zonat e shpallura si male, janë në fakt zona bregdetare dhe kodrinore të buta. Kjo është një deformim i ligjit që i hap rrugë mafies dhe tregut të drogës,” deklaroi Berisha.
Kryetari i PD-së paralajmëroi se do të vijojë publikimin e dokumenteve dhe fakteve që, sipas tij, tregojnë çdo hap të deformimit të ligjit, duke kërkuar përgjegjësi nga qeveria dhe Kryeministri Rama.







