back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 21 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaSPAK “shtrëngon rrethin” për Ballukun/ Hetime për 11 tendera dhe rrezik përsëritjeje...

SPAK “shtrëngon rrethin” për Ballukun/ Hetime për 11 tendera dhe rrezik përsëritjeje krimi

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë një relacion të detajuar, ku kërkon zëvendësimin e masave të sigurimit ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke argumentuar se situata penale e saj është rënduar ndjeshëm.

Sipas SPAK, pas caktimit të masave fillestare të sigurisë, janë konstatuar rrethana të reja që e bëjnë të domosdoshëm aplikimin e një mase më të ashpër, pasi Balluku dyshohet se ka manipuluar të paktën 11 procedura prokurimi dhe ekziston rreziku real që ajo të kryejë vepra të tjera penale, për shkak të funksionit që ushtron dhe personalitetit të saj.

Në relacionin e përmbledhur të dorëzuar Kuvendit, Prokuroria thekson se, përmes metodave speciale të hetimit, ka zbuluar se Balluku ka ushtruar presion ndaj një prej vartësve të saj edhe pasi është marrë zyrtarisht e pandehur, në një kohë kur ende nuk ishte pezulluar nga detyra. Sipas SPAK, ky fakt përbën një rrezik serioz për ecurinë normale të hetimeve.

Prokuroria vlerëson se ekzistojnë kushtet ligjore për zëvendësimin e masave të sigurimit, duke iu referuar neneve 228, 229, 230, 237, 238 dhe 260 të Kodit të Procedurës Penale. Në dokument thuhet se nevojat e sigurimit janë rënduar, pasi ndaj Ballukut po kryhen hetime për fakte të tjera penale, të lidhura me disa procedura të tjera prokurimi, si dhe me një procedurë koncesioni.

SPAK argumenton se ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen dhe vërtetësinë e provave. Sipas Prokurorisë, gjatë hetimit po administrohen vazhdimisht prova nga institucione të ndryshme, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e dokumentacionit ndodhet pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, institucion që drejtohet vetë nga e pandehura. Gjithashtu, po merren në pyetje dëshmitarë të ndryshëm, përfshirë zyrtarë dhe vartës të saj, çka, sipas SPAK, rrit rrezikun e ndikimit apo ndërhyrjes në procesin hetimor.

Në relacion nënvizohet se gjendja e lirë e Ballukut përbën rrezik real për mbledhjen e provave, për shkak të detyrës dhe funksionit të lartë shtetëror që ajo ushtron si zëvendëskryeministre dhe ministre. Prokuroria thekson se ekziston mundësia që ajo të ndërhyjë për prishjen, asgjësimin ose manipulimin e provave, apo për krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e tyre. SPAK shton se tashmë është evidentuar fakti se e pandehura ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët.

Një tjetër element që rëndon pozitën e saj penale është rreziku i largimit nga vendi. Prokuroria argumenton se ky rrezik ekziston për shkak të sanksioneve të larta që parashikon ligji për veprat penale për të cilat dyshohet Balluku, si dhe për faktin se këto vepra dyshohet se janë kryer disa herë dhe në bashkëpunim.

SPAK thekson gjithashtu rrezikun që e pandehura, për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të saj, mund të kryejë krime të tjera të rënda ose të të njëjtit lloj me ato për të cilat po hetohet. Sipas Prokurorisë, duke qenë ende në ushtrimin e funksioneve të saj dhe në kushtet e vazhdimit të procedurave të tjera të prokurimit dhe investimeve publike, ekziston rreziku real i përsëritjes së veprave penale.

Në relacion, SPAK rendit konkretisht 11 tendera për të cilët Balluku po hetohet. Përveç tenderit të tunelit të Llogarasë me vlerë rreth 190 milionë euro, për të cilin ajo është marrë e pandehur, dhe shtatë loteve të projektit të Unazës së Madhe, me një vlerë totale prej rreth 450 milionë euro, për të cilat ajo është person nën hetim, Prokuroria dyshon se Balluku ka përcaktuar fituesit edhe në tre tendera të tjerë.

Që në fillim të procedurës, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut në Kuvend të zhvillohet me dyer të mbyllura, për shkak të nevojës për ruajtjen e sekretit hetimor.

Në dokumentin e firmosur nga prokurori Dritan Prençi theksohet se kërkesa për rëndimin e masave të sigurisë, duke zëvendësuar pezullimin nga detyra dhe ndalimin e lëvizjes jashtë vendit, bazohet në prova të reja, të cilat nuk kanë qenë objekt shqyrtimi në vendimet e mëparshme të gjykatave.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat