Dosja e SPAK lidhur me skandalin e AKSHI-t po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha, teksa dalin në dritë detaje të rënda që implikojnë edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Burime për Vox News bëjnë me dije se Prokuroria e Posaçme pritet të lëshojë urdhër-arreste për disa zyrtarë të lartë policorë në orët në vijim.
Sipas burimeve, këta drejtues nuk dyshohen vetëm për përfshirje në rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, por edhe në një tjetër ngjarje të rëndë: rrëmbimin e ish-zëvendësdrejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima.
Daniel Shima u zhduk më 20 gusht të këtij viti dhe u rikthye në banesë vetëm një ditë më vonë, në orët e vona të natës. Në atë kohë, Policia e Shtetit deklaroi zyrtarisht se ai ishte larguar me dëshirë, ndërsa vetë Shima kishte pohuar në mënyrë informale se kishte qenë në Dhërmi.
Zhdukja e 34-vjeçarit u denoncua nga familjarët pasditen e 20 gushtit. Sipas burimeve, nëna e Shimës u njoftua fillimisht nga e dashura e tij, e cila i tregoi se rreth orës 13:30, Danieli i kishte dërguar një mesazh ku shkruante:
“Po më arreston policia.”
E njëjta skemë rrëmbimi si ajo e Gerond Meçes
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se Daniel Shima nuk ishte larguar me dëshirë, por ishte rrëmbyer duke përdorur të njëjtën skemë kriminale si në rastin e biznesmenit Gerond Meçe. Ai është marrë peng nga persona të veshur si punonjës policie dhe është transportuar në rrethinat e Elbasanit, ku dyshohet se është kërcënuar dhe intimiduar.
Burime të Vox News bëjnë me dije se për rrëmbimin e Shimës kanë qenë në dijeni edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Ende nuk është e qartë nëse ata kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në aktin e pengmarrjes, por SPAK dyshon se disa prej tyre kanë luajtur rol aktiv ose mbështetës në këtë ngjarje të rëndë kriminale.
Për këtë arsye, gjatë ditës së sotme, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), me urdhër të SPAK, kanë kryer kontrolle në banesat e disa drejtuesve të Policisë së Shtetit, ndërsa burime hetimore konfirmojnë se në orët në vijim priten edhe urdhër-arreste.
Hetimet po vijojnë dhe dosja pritet të zbulojë edhe elementë të tjerë të rëndë që lidhen me abuzimin e strukturave shtetërore dhe përdorimin e uniformës së policisë për qëllime kriminale.



