Është zbardhur drafti paraprak i amnistisë penale, sipas të cilit rreth 380 persona të dënuar pritet të lirohen menjëherë nga burgjet, ndërsa afro 1.300 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit.
Sipas dokumentit, amnistia parashikon përfitime për disa kategori të dënuarish. Konkretisht, përfshihen burrat me vendim gjyqësor të formës së prerë, të dënuar deri në 3 vite burg, si edhe ata që kanë marrë dënime mbi 3 vite, por që u kanë mbetur deri në 3 vite për të vuajtur.
Përfituese janë gjithashtu gratë e dënuara me vendim të formës së prerë deri në 4 vite burg, si dhe ato që janë dënuar mbi 4 vite, por kanë deri në 4 vite dënim të mbetur pa vuajtur. Në skemën e amnistisë përfshihen edhe gratë e dënuara që në datën e hyrjes në fuqi të ligjit janë 50 vjeç ose më të mëdha, si dhe burrat e dënuar që kanë mbushur moshën 60 vjeç.
Sipas parashikimeve, efektet e kësaj amnistie pritet të hyjnë në fuqi në fund të muajit janar ose në fillim të shkurtit, pas përfundimit të diskutimeve dhe miratimit me votë në Kuvend.



