Socialistët dhe demokratët kishin arritur një dakordësi paraprake për reformën teritoriale, por gjithçka u pezullua pasi opozita refuzoi të marrë pjesë në komisionet parlamentare pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Sipas A2 CNN, tratativat mes palëve kishin synuar ridizenjimin e hartës së pushtetit vendor dhe ndryshimin e kompetencave administrative. Socialistët kishin pranuar rritjen e numrit të bashkive nga 61 në mbi 90, me kusht që ato të kishin kompetenca të reduktuara, të fokusuar vetëm në çështjet e administrimit të qytetit. Kompetencat më të mëdha do t’i kalonin qarqeve, të cilat mund të merrnin emrin “superbashki” dhe do të drejtoheshin nga të zgjedhur vendor me votë direkte nga qytetarët, përfshirë menaxhimin financiar dhe politikat zhvillimore.
Megjithatë, kjo dakordësi tashmë ka ngecur, pasi demokratët janë tërhequr nga komisionet e posaçme parlamentare, duke bllokuar procesin jo vetëm për reformën territoriale, por edhe për reformën zgjedhore, duke vendosur një kusht të panegociueshëm.



