Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar këtë të martë përmes një postimi në rrjetin social X, lidhur me seancën e sotme të Gjykatës Kushtetuese dhe kërkesën e disa shoqatave të gjyqtarëve për rritje page.
Në reagimin e tij, Rama e cilëson procesin si një precedent të rrezikshëm, duke ngritur shqetësime serioze për ndikimin që një vendim i tillë mund të ketë mbi sistemin e pagave, ndarjen e pushteteve dhe kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit.
“Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, që kërkojnë të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave,” shkruan Rama.
Kryeministri thekson se gjyqtarët janë tashmë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes së dhënë nga mazhoranca në kuadër të Reformës në Drejtësi, ndërsa sipas tij, kërkesa aktuale synon krijimin e një mekanizmi të përhershëm për rritje automatike të pagave.
“Ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, i cili rrezikon ta kthejë Shqipërinë në të vetmin vend ku gjyqtarët marrin kompetencat e qeverisë dhe parlamentit për politikën e pagave,” thekson Rama.
Në përfundim të reagimit, kryeministri shpreh shpresën që Gjykata Kushtetuese të mos lejojë një vendim që, sipas tij, do të përbënte një turp kombëtar, ndërsa vlerëson SPAK-un për faktin që nuk iu bashkua kësaj kërkese.



