Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ilir Meta ka reaguar për përplasjen mes GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, duke e cilësuar situatën si një konflikt të panevojshëm dhe të evitueshëm.
Në një reagim të gjatë, Meta ngre shqetësimin për shtyrjen e dhjetëra seancave gjyqësore dhe pasojat që, sipas tij, kjo situatë po sjell për proceset gjyqësore, avokatët, të pandehurit dhe familjarët e tyre.
Sipas Metës, rregullorja e GJKKO-së së Shkallës së Parë është miratuar më 17 korrik 2026, është bërë publike më 31 korrik dhe ka hyrë në fuqi më 1 shtator. Për këtë arsye, ai argumenton se përshkallëzimi i konfliktit mund të ishte shmangur përmes dialogut mes institucioneve.
Meta kritikon gjithashtu Kuvendin dhe qeverinë për atë që e quan “heshtje të qëllimshme”, ndërsa kërkon ndërhyrje për ndryshimin e ligjit për Avokatin dhe zgjidhjen e ngërçit.
Ai thotë se shtyrjet e seancave sjellin jo vetëm zvarritje të proceseve, por edhe kosto për shtetin dhe qytetarët, duke përmendur shpenzimet për shoqërimin e personave të paraburgosur nga burgjet drejt Tiranës.
Meta: Në çështjen time kam kërkuar vijimin e gjykimit
Në reagimin e tij, Meta i referohet edhe çështjes penale ndaj tij në GJKKO. Ai deklaron se nuk ka munguar në asnjë seancë dhe se ka shprehur vullnetin për vijimin e gjykimit.
Sipas tij, prokurori ka kërkuar pezullimin e afateve të paraburgimit, por pa kërkuar caktimin e një avokati kryesisht. Meta kritikon edhe vendimin e gjykatës për pranimin e kësaj kërkese dhe pezullimin e afateve.
Ai e lidh këtë situatë me përplasjen institucionale mes GJKKO-së dhe avokatëve dhe pretendon se bëhet fjalë për një pasojë të asaj që ai e quan “Ramaformë”.
Meta rikthen edhe akuzat e tij politike ndaj qeverisë, duke thënë se Reforma në Drejtësi e vitit 2016 është tjetërsuar. Ai pretendon se proceset gjyqësore po zvarriten dhe se kjo po ndikon në funksionimin e shtetit të së drejtës.
Në fund të reagimit, Meta thekson se do të vijojë të përballet me procesin gjyqësor dhe deklaron se nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë në seancat ndaj tij.



