Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera në Shqipëri po rriten më shpejt nga sa kishte parashikuar Banka e Shqipërisë. Guvernatori Gent Sejko pranon se presionet inflacioniste janë reflektuar më shpejt se në projeksionet e mëparshme të bankës qendrore.
“Rritja e çmimeve ka ardhur kryesisht nga faktorë që lidhen me kostot dhe tregjet ndërkombëtare, por edhe nga zhvillimet e brendshme të ekonomisë. Këto presione janë reflektuar më shpejt nga sa kishim parashikuar në projeksionet tona”, deklaroi Sejko.
Sipas tij, presionet mbi çmimet pritet të jenë të përkohshme, por lehtësimi nuk pritet të jetë i menjëhershëm. Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të vijojë të ndikohet nga këta faktorë edhe në periudhën në vijim dhe gradualisht të zbutet, nëse nuk shfaqen goditje të reja nga jashtë.
“Presim që këto presione të jenë të përkohshme dhe gradualisht të zbuten. Nëse nuk do të ketë goditje të tjera të jashtme, kushtet monetare dhe zhvillimet ekonomike pritet të ndihmojnë në kthimin e inflacionit drejt nivelit të synuar”, tha guvernatori.
Në anën tjetër, Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare po ruan ritme të qëndrueshme. Konsumi, investimet dhe aktiviteti në sektorët kryesorë vijojnë të mbështesin rritjen ekonomike.
“Ekonomia shqiptare vazhdon të shfaqë një qëndrueshmëri të mirë, e mbështetur nga konsumi, investimet dhe aktiviteti në disa prej sektorëve kryesorë. Kjo na jep një bazë të mirë për të ruajtur një perspektivë pozitive për aktivitetin ekonomik”, u shpreh Sejko.
Pavarësisht presioneve të shtuara mbi çmimet, Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në 2.5%.
Vendimi vjen në një moment kur kostoja e ushqimeve dhe e produkteve të tjera mbetet një nga shqetësimet kryesore për konsumatorët, ndërsa banka qendrore pret një zbutje graduale të presioneve inflacioniste.



