KreuAktualitetPolitikaShqipëria në epokën digjitale/ Sa herë “bie” shteti online?

Shqipëria në epokën digjitale/ Sa herë “bie” shteti online?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Miliona lekë për teknologjinë, por shërbimet online vijojnë të kenë ndërprerje. Nga e-Albania te SelfCare, problemet janë shfaqur në mënyrë të përsëritur, ndërsa auditimet e KLSH-së kanë evidentuar mangësi në vazhdimësinë e sistemeve, backup-et dhe menaxhimin e elementëve kritikë

Shqipëria ka zhvendosur një pjesë të madhe të shërbimeve publike nga sportelet fizike në platformat online. e-Albania është kthyer në portën kryesore për qytetarët dhe bizneset, ndërsa Platforma Qeveritare e Ndërveprimit lidh sistemet e institucioneve me njëri-tjetrin.

Por sa më shumë shërbime kalojnë online, aq më i madh bëhet edhe problemi kur një sistem nuk funksionon.

Rastet janë përsëritur.

Në shkurt 2024, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi zyrtarisht ndërprerjen e përkohshme të shërbimeve elektronike për një periudhë prej rreth 38 orësh. Ndërprerja prekte e-Albania, autentifikimin e përdoruesve, shkëmbimin e të dhënave dhe sisteme të tjera elektronike.

Një vit më pas, në korrik 2025, probleme u raportuan gjatë dorëzimit online të pasqyrave financiare nga bizneset. Sistemi përmes të cilit kryhej procedura shfaqte vështirësi dhe aplikimet nuk përfundonin normalisht. Sipas raportimeve të kohës, AKSHI pranoi se kishte probleme dhe po punonte për zgjidhjen e tyre.

Në janar 2026, një tjetër sistem i lidhur me ekosistemin digjital shtetëror, SelfCare, u kthye në problem për bizneset. Sipas raportimeve, sistemi nuk funksiononte prej më shumë se një jave dhe përdoruesit nuk arrinin të kryenin veprimet e nevojshme.

Problemi nuk lidhet vetëm me portalin e-albania.

Vetë KLSH ka ngritur prej vitesh shqetësime për mënyrën se si menaxhohen sistemet e teknologjisë së informacionit. Në një auditim të fokusuar te e-Albania, KLSH identifikoi 16 gjetje dhe rekomandime dhe vlerësoi se menaxhimi i elementëve kritikë të sistemeve të informacionit ishte i pamjaftueshëm. Auditimi evidentoi gjithashtu probleme të lidhura me menaxhimin e ndryshimeve dhe strategjinë e investimeve në sistemet IT.

Në auditime të tjera, KLSH ka evidentuar probleme konkrete me vazhdimësinë e punës.

Në një raport për sistemet e teknologjisë së informacionit në AZHBR, kontrolli konstatoi se politikat e vazhdimësisë së punës dhe planet e rikuperimit nga katastrofat nuk ishin rishikuar dhe përditësuar. Po ashtu, nuk ishin identifikuar qartë sistemet kritike që duhet të garantojnë shërbime 24 orë në 7 ditë të javës.

Sipas KLSH-së, këto mangësi krijojnë rrezik për sigurinë, integritetin dhe disponueshmërinë e të dhënave dhe shërbimeve.

Kostoja e këtij sistemi është e konsiderueshme.

Vetëm në vitin 2024, Ministria e Financave miratoi një shtesë prej 2.6 miliardë lekësh për AKSHI-n, e dedikuar për detyrime në kuadër të kontratave të mirëmbajtjes së sistemeve IT të qeverisë dhe pagesës së shërbimit të Microsoft.

Në vitin 2025, qeveria deklaroi gjithashtu se projektet IT të institucioneve po transferoheshin drejt AKSHI-t me synimin për të centralizuar fondet, shmangur fragmentimin dhe vendosur standarde të unifikuara për sistemet e teknologjisë së informacionit.

Kjo e bën problemin e ndërprerjeve më shumë se një çështje teknike.

Kur qytetari nuk merr dot një certifikatë, biznesi nuk arrin të lëshojë një faturë apo një financier nuk dorëzon dot një deklarim, ndërprerja e sistemit kthehet në kosto konkrete për përdoruesin.

Shqipëria po e ndërton administratën mbi teknologjinë. Por në një administratë ku shërbimet janë gjithnjë e më shumë vetëm online, funksionimi i sistemit nuk është më thjesht çështje komoditeti, por eshtë vetë shërbimi publik.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat