back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 12 Shkurt, 2026
spot_img
KreuDrejtësia“More 45 milionë lekë nga kompania e sekuestruar”/ Gjykata vendos për përplasjen...

“More 45 milionë lekë nga kompania e sekuestruar”/ Gjykata vendos për përplasjen Shehaj-Lapaj

Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm deputetin dhe kryetarin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, për veprën penale të shpifjes, në çështjen e ngritur pas deklaratave të tij publike ndaj Adriatik Lapajt, kreut të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Shehaj nuk u gjet fajtor për shpifje, pasi gjykata vlerësoi se faktet e pretenduara nuk përbëjnë elementë të kësaj vepre penale. Megjithatë, gjykata e shpalli atë fajtor për veprën penale të fyerjes, duke e dënuar me një gjobë prej 300 mijë lekësh.

Çështja lidhej me deklaratat e Agron Shehajt, sipas të cilave Adriatik Lapaj kishte përfituar 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK për dyshime për pastrim parash të grupit kriminal të njohur si “Çopjat”. Lapaj i ka mohuar këto akuza, duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë pagesë dhe se shumat e përmendura përfaqësonin detyrime për shërbime ligjore të ofruara nga ai si avokat i kompanisë.

Shehaj ka vijuar akuzat duke publikuar edhe dokumente, sipas të cilave Lapaj kishte marrë përsipër regjistrimin e një prone me vlerë miliona euro në bregdet, të blerë nga një kompani e lidhur me grupin e “Çopjave”. Sipas tij, vendimi për këtë pronë ishte dhënë nga vjehrri i Lapajt, Alltun Çela, në kohën kur ky i fundit ushtronte detyrën e kryetarit të Gjykatës së Sarandës.

Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës, Adriatik Lapaj e kishte depozituar kërkesën për gjykimin e çështjes më 1 prill 2025. Vendimi është marrë më 21 janar 2026 nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela.

Gjykata vendosi që gjoba të paguhet brenda 6 muajve nga marrja formë të prerë e vendimit, ndërsa shpenzimet gjyqësore i janë lënë në ngarkim Agron Shehajt. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat