Qeveria shqiptare ka miratuar një vendim që synon të nxisë zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend. Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare dhe tashmë në fuqi, 460 kategori mallrash që importohen në Shqipëri dhe përdoren drejtpërdrejt për prodhimin e armatimit dhe pajisjeve ushtarake do të përjashtohen nga taksat doganore.
Në listën e mallrave të përjashtuara përfshihen veshje ushtarake, armë, municione, si edhe makineri dhe pajisje ndihmëse të nevojshme për proceset e prodhimit. Vendimi parashikon se përjashtimi nga detyrimet doganore do të aplikohet për komponentët kryesorë dhe mallrat ushtarake apo me përdorim të dyfishtë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, kur këto importe kryhen me qëllim prodhimin e një produkti përfundimtar ushtarak.
Sipas Këshillit të Ministrave, ky përjashtim do të vlejë vetëm për subjektet e licencuara që operojnë në industrinë e mbrojtjes.
Në listë përfshihet gjithashtu importi pa taksa i dhjetëra makinerive industriale për qepjen dhe përpunimin e veshjeve ushtarake, si dhe dhjetëra lloje tekstilesh që do të përdoren për uniforma, jelekë mbrojtës dhe pajisje të tjera personale për Forcat e Armatosura.
Qeveria thekson se vendimi synon uljen e kostove për kompanitë e licencuara, rritjen e kapaciteteve prodhuese vendase dhe forcimin e industrisë shqiptare të mbrojtjes. Përjashtimi nga taksat doganore pritet të nxisë investime të reja, të rrisë punësimin dhe të përmirësojë aftësitë teknologjike të sektorit.
Vendimi shihet gjithashtu si pjesë e një strategjie më të gjerë për ta bërë Shqipërinë më të pavarur në furnizimin me pajisje ushtarake, duke reduktuar varësinë nga importet e produkteve të përfunduara dhe duke nxitur prodhimin vendas.



