back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaSejko: Plakja e popullsisë dhe emigracioni po kthehen në rrezik për ekonominë...

Sejko: Plakja e popullsisë dhe emigracioni po kthehen në rrezik për ekonominë shqiptare

Plakja e shpejtë e popullsisë dhe emigracioni i vazhdueshëm përbëjnë ndër sfidat më të mëdha strukturore me të cilat po përballet ekonomia shqiptare. Kështu u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë prezantimit të Raportit të Tranzicionit të BERZH për vitet 2025–2026.

Sipas Sejkos, këto fenomene janë identifikuar prej kohësh si faktorë përcaktues për zhvillimin afatgjatë të vendit, por tashmë po shfaqin pasoja konkrete në tregun e punës dhe në perspektivën e rritjes ekonomike.

Guvernatori iu referua parashikimeve të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilave Shqipëria po shkon drejt përmbysjes së piramidës demografike, si pasojë e rënies së popullsisë dhe rritjes së moshës mesatare.

“Plakja e popullsisë dhe emigracioni janë identifikuar herët në kohë si sfida përcaktuese për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë. Vendi ynë pasqyron qartë këto tendenca: plakje të shpejtë të popullsisë, e kombinuar me largimin e të rinjve dhe të popullsisë në moshë pune,” u shpreh Sejko.

Ai theksoi se këto dinamika pritet të intensifikohen edhe në vitet në vijim. Sipas tij, popullsia ka ardhur në rënie të vazhdueshme, ndërsa mosha mesatare është rritur me shpejtësi, duke arritur aktualisht në 43 vjeç.

Sejko e cilësoi emigracionin si një sfidë strukturore për ekonominë, duke nënvizuar se rritja ekonomike e qëndrueshme e viteve të fundit, nivelet historikisht të ulëta të papunësisë dhe mungesa e fuqisë punëtore kanë nxjerrë më qartë në pah pasojat afatgjata të këtij fenomeni.

Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, adresimi i këtyre sfidave kërkon politika afatgjata që synojnë rritjen e produktivitetit, forcimin e tregut të punës dhe krijimin e kushteve për frenimin e emigracionit, veçanërisht të të rinjve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat