Deputetët e Partisë Socialiste, Blendi Klosi dhe Erion Braçe, u përplasën sot në Kuvend gjatë diskutimit për aktin normativ të mbështetjes buxhetore, lidhur me sportin e padelit, një investim prej 2.2 milionë eurosh i parashikuar në ligj.
Braçe kundër: “Paratë publike nuk shkojnë sipas dëshirës”
Deputeti Erion Braçe shprehu rezerva të forta për mbështetjen e këtij sporti:
“Kur flasim për para publike duhet të kemi parasysh se politikat buxhetore sektoriale nuk bëhen sipas dëshirës apo afeksionit që çdo ministër apo deputet ka për një sport të caktuar. Blendi për padelin, Taulanti për boksin, unë për ping pongun, një tjetër për shahun, jo nuk bëhet kështu. Këto para nuk janë për sportin e padelit. 2.2 milionë euro për kuota pjesëmarrjeje janë shumë para. Nëse do mbështesim sporte moderne, futbolli është një nga sportet që po jep shpirt në këtë vend.”
Braçe nënvizoi gjithashtu se fondet duhet të përdoren për sporte masive dhe të aksesueshme për të rinjtë, dhe jo për sporte sipas dëshirës së një ministri apo deputeti.
Klosi mbrohet: “Padeli është sport masiv dhe ndërkombëtar”
Nga ana tjetër, Blendi Klosi argumentoi se padeli është një sport me rritje të shpejtë globalisht dhe mbështetet një aktivitet masiv dhe i aksesueshëm për të rinjtë, gratë dhe familjet:
“Sporti i padelit jo vetëm për kolegët e opozitës, por edhe të maxhorancës quhet luks, po nuk është fare kështu. Nuk është thjesht një aktivitet, po mbështetet një sport masiv, i aksesueshëm dhe promovon Shqipërinë në botë. Bëhet fjalë për dy aktivitete ndërkombëtare që sjellin vëmendjen te Shqipëria që duam ta promovojmë.”
Atmosferë tensioni në Kuvend
Përplasja midis dy deputetëve solli tension dhe ndërprerje fjalësh në foltore, duke reflektuar debatet më të gjera brenda maxhorancës mbi prioritetet e shpenzimeve buxhetore për sportin. Ndërsa Klosi fokusohet te promovimi ndërkombëtar dhe mbështetja e sporteve të reja, Braçe insiston te qasja sektoriale dhe masiviteti i sporteve që marrin fonde publike.



