Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë për të pandehurin Xhelal Rraja, duke kaluar nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.
Vendimi është marrë më datë 4 shkurt 2026 nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga vetë Rraja më 17 dhjetor 2025.
Sipas vendimit nr. 26, Gjykata pranoi kërkesën e të pandehurit dhe vendosi zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të caktuar më herët me vendimin nr. 49, datë 15.05.2024 dhe të konfirmuar me vendimin nr. 78, datë 12.07.2024, me masën “arrest në shtëpi”, në bazë të nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata urdhëroi që Xhelal Rraja të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë, me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të. Zbatimi dhe mbikëqyrja e kësaj mase do të kryhet nga komisariati i policisë që mbulon zonën e vendbanimit të tij.
Po ashtu, është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i Rrajës nga ambientet e paraburgimit, nëse ai nuk mbahet i arrestuar, i ndaluar apo i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.



