Negociatorët amerikanë dhe ukrainas po diskutojnë një objektiv që Rusia dhe Ukraina të arrijnë një marrëveshje paqeje deri në muajin mars. Sipas kuadrit që po shqyrtohet, çdo marrëveshje e mundshme do t’i nënshtrohej një referendumi në Ukrainë, i cili mund të zhvillohej paralelisht me zgjedhjet kombëtare.
Zyrtarë amerikanë kanë sugjeruar që procesi të përshpejtohet, përpara se vëmendja politike në Shtetet e Bashkuara të zhvendoset drejt zgjedhjeve të mesit të mandatit për Kongresin, që priten të mbahen në nëntor.
Pengesa ligjore dhe logjistike për zgjedhjet
Burime pranë negociatave bëjnë me dije se është diskutuar mundësia që zgjedhjet dhe referendumi të mbahen në muajin maj. Megjithatë, autoritetet zgjedhore ukrainase paralajmërojnë se organizimi i tyre do të kërkonte të paktën gjashtë muaj përgatitje, ndryshime ligjore dhe kosto të konsiderueshme financiare, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që vijon të jetë në fuqi në vend.
Ukraina ka kërkuar gjithashtu një armëpushim gjatë fushatës zgjedhore, duke shprehur shqetësime se Rusia mund të shkelë procesin nëse luftimet vazhdojnë.
Çështjet kyçe mbeten të pazgjidhura
Sipas burimeve diplomatike, mungesa e përparimit në çështjen territoriale, veçanërisht për rajonin e Donbasit, mbetet pengesa kryesore për arritjen e një marrëveshjeje afatshkurtër. Rusia kërkon kontroll të plotë mbi Donbasin, një kërkesë që Kievi e ka cilësuar të papranueshme.
Ngërç mbetet edhe statusi i centralit bërthamor të Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, i cili aktualisht ndodhet në territor të pushtuar nga forcat ruse.
Skepticizëm për paqe të shpejtë
Ndërsa Ukraina ka dërguar në negociata përfaqësues politikë të nivelit të lartë, delegacioni rus përbëhet kryesisht nga figura ushtarake, çka sipas analistëve sinjalizon vështirësi për kompromis politik.
Ekspertët vlerësojnë gjithashtu se, edhe nëse arrihet një marrëveshje, votuesit ukrainas mund të refuzojnë çdo lëshim territorial në referendum.
Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës, përfshirë Krimenë dhe pjesë të rajonit të Donbasit.



