back to top
11.5 C
Tirana
E martë, 10 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetKronikëShqipëria fundoset nga korrupsioni/ 39 pikë dhe rënie e lirë në renditjen...

Shqipëria fundoset nga korrupsioni/ 39 pikë dhe rënie e lirë në renditjen botërore

Transparency International ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2025, ku Shqipëria shënon një rënie të ndjeshme si në pikë, ashtu edhe në renditjen globale.

Sipas raportit, Shqipëria është vlerësuar me 39 pikë, nga 42 pikë që kishte në vitin 2024, duke humbur kështu 3 pikë brenda një viti. Si pasojë, vendi ka rënë me 11 vende në renditjen botërore, nga vendi i 80-të mes 180 shteteve vitin e kaluar, në vendin e 91-të për vitin 2025.

Edhe Kosova ka shënuar rënie në këtë indeks, duke u vlerësuar me 43 pikë, një pikë më pak krahasuar me vitin 2024, kur kishte marrë 44 pikë dhe ishte renditur e 73-ta në botë. Megjithatë, Kosova mbetet e renditur më mirë se Shqipëria në luftën kundër korrupsionit, duke ruajtur një pozicion relativisht më pozitiv në rajon.

Sa i përket vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për vitin 2025, Mali i Zi renditet më mirë me 46 pikë, duke ruajtur të njëjtin vlerësim si vitin e kaluar. Maqedonia e Veriut vlerësohet me 40 pikë, pa ndryshim nga raporti i mëparshëm. Bosnje dhe Hercegovina ka marrë 34 pikë, ndërsa Serbia është vlerësuar me 33 pikë, të dyja duke shënuar rënie krahasuar me vitin e kaluar.

Transparency International sqaron se vlerësimi me pikë në CPI pasqyron nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik, në një shkallë nga 0 (jashtëzakonisht i korruptuar) deri në 100 (shumë i pastër). Ndërkohë, renditja globale tregon pozicionin relativ të një shteti në krahasim me vendet e tjera të përfshira në indeks.

Raporti i këtij viti nënvizon se korrupsioni vijon të mbetet një sfidë serioze për qeverisjen, sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve në institucionet publike në rajon.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat