Një vit para nisjes së procesit për zgjedhjen e Presidentit Federal të Gjermanisë, emri i ish-kancelares Angela Merkel ka filluar të përmendet seriozisht në qarqet politike. Media gjermane, Bild, raporton se pavarësisht mosmiratimit nga kancelari aktual, Friedrich Merz, Merkel mund të shihet si një kandidaturë e mundshme për postin më të lartë shtetëror.
Merkel, e cila drejtoi Gjermaninë për 16 vite dhe konsiderohej një nga politikanet më të pëlqyera, është në pension politik që nga zgjedhjet federale të vitit 2021. Sidoqoftë, sipas raportimeve, ajo mund të rikthehet në një rol të lartë si Presidente Federale, veçanërisht për shkak të popullaritetit të saj mes votuesve, përfshirë të Gjelbrit.
Në CDU ekziston shqetësimi se nëse Merkel propozohet nga të Gjelbrit, kjo mund ta vendosë Merzin në një pozicion të vështirë, pasi ai ka një histori armiqësie me ish-kancelaren, e cila e largoi nga drejtimi i grupit parlamentar të partisë në vitin 2002. Megjithatë, për shkak se të dy janë pjesë e CDU-së, refuzimi i një kandidature të tillë do të ishte i ndërlikuar.
CDU po shqyrton edhe kandidatët e tjerë potencialë për postin, duke përfshirë Karin Prien, ministren liberale të Arsimit, dhe Julia Klöckner, presidenten konservatore të Bundestagut. Megjithatë, afërsia e Klöckner me Merzin e bën të vështirë mbështetjen e saj nga SPD dhe të Gjelbrit, duke i dhënë Merkelit avantazh nëse vendos të kandidojë.
Ish-kancelarja po shfaqet gjithashtu më aktivisht në aktivitete publike dhe planifikon të marrë pjesë në kongresin federal të CDU-së më 20 shkurt, një pjesëmarrje që sipas mediave, do të vëzhgohet me kujdes nga Merz.
Procesi i zgjedhjes së Presidentit Federal është planifikuar për shkurt 2027, por emri i Merkel po rrit spekulimet mbi mundësinë e një rikthimi politik surprizë.



