back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 20 Shkurt, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaPasuritë e konfiskuara drejt qytetarëve/ Qeveria përgatit ligjin e ri

Pasuritë e konfiskuara drejt qytetarëve/ Qeveria përgatit ligjin e ri

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, njoftoi në konferencën e sotme për media një nismë për përdorimin e aseteve kriminale të sekuestruara dhe të konfiskuara në funksion të drejtpërdrejtë të shoqërisë.

Sipas saj, gjatë vitit të kaluar janë sekuestruar ose konfiskuar asete me vlerë mbi 65 milionë euro, shifra më e lartë e arritur ndonjëherë brenda një viti. Koçiu theksoi se këto pasuri do të vihen në shërbim të qytetarëve, projekteve sociale dhe familjeve të efektivëve të Policia e Shtetit të rënë në krye të detyrës.

Ministrja bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar 726 pasuri me vlerë totale mbi 6 miliardë lekë. Prej tyre, 64 pasuri janë konfiskuar dhe kanë kontribuar në mbështetjen e 15 projekteve me impakt social dhe shërbime direkte për komunitetin, ndërsa janë vënë gjithashtu në dispozicion të 20 institucioneve publike për realizimin e programeve të tyre.

Koçiu shtoi se është krijuar edhe baza ligjore për transferimin e pronave të konfiskuara tek pushteti vendor, me qëllim strehimin e personave në nevojë dhe ngritjen e qendrave sociale apo rezidenciale për viktimat e dhunës, krimit dhe trafikimit.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë po përgatit një nismë të re ligjore që synon të mundësojë përdorimin e aseteve kriminale edhe për mbështetjen e familjeve të efektivëve të rënë në detyrë.

“Efektivi i rënë nuk mund të kthehet pas, por familjet e tyre meritojnë solidaritetin, mirënjohjen dhe mbështetjen e plotë të shoqërisë. Këto të mira, që sot financohen vetëm nga taksapaguesit, duhet dhe mund të financohen edhe nga pasuria kriminale”, u shpreh ministrja.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat