back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 20 Shkurt, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaBE paralajmëron: Sulmet politike ndaj SPAK-ut janë shqetësuese

BE paralajmëron: Sulmet politike ndaj SPAK-ut janë shqetësuese

Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Welle, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe punën e SPAK-ut, një nga institucionet kyçe të drejtësisë ku BE-ja ka investuar më së shumti.

Ambasadori Gonzato theksoi se Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm, duke hapur të gjithë kapitujt e legjislacionit të BE-së brenda 18 muajsh. Megjithatë, sipas tij, vendi ndodhet në një pikë kthese kritike, ku duhet të demonstrojë progres të prekshëm në fushat kyçe, të njohura si “Themeloret” – të drejtat themelore, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe konsolidimi i reformës në drejtësi të vitit 2016.

“Kjo është faza më e rëndësishme, në të cilën Komisioni do të vlerësojë nëse legjislacioni dhe masat e qeverisë pasqyrojnë përparim të vërtetë në këto fusha,” tha Gonzato.

Transparenca e fondeve të BE-së

Ambasadori Gonzato vuri në dukje rëndësinë e transparencës në menaxhimin e fondeve të BE-së, duke përmendur projektet e financuara për përfshirjen sociale, me një vlerë mbi 100 milionë euro. Ai nënvizoi se këto fonde duhet të përdoren në mënyrë objektive dhe transparente, duke shmangur favorizime apo shpërndarje bazuar në kontakte personale.

Në lidhje me fonde IPARD për bujqësinë, Gonzato deklaroi se procesi i auditimit dhe vlerësimit nga qeveria shqiptare është në vazhdim, dhe Bashkimi Europian pret që masat korrigjuese të jenë të mjaftueshme për rifillimin e ndihmës financiare për fermerët shqiptarë.

SPAK dhe lufta kundër krimit të organizuar

Ambasadori Gonzato e vlerësoi punën e SPAK si vendimtare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai theksoi bashkëpunimin e SPAK-ut me agjenci të tjera të zbatimit të ligjit, si EUROPOL dhe EUROJUST, për ndjekjen e bandave kriminale që operojnë në Shqipëri dhe në vendet e BE-së.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është thelbësore për vlerësimin e gatishmërisë së Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Europian,” tha Gonzato.

Ai shtoi se është i rëndësishëm edhe aspekti parandaluese, përfshirë kriminalizimin e pastrimit të parave, si pjesë e masave të miratuara nga Shqipëria për të luftuar aktivitetet e paligjshme financiare të rrjeteve kriminale.

Ndryshimet ligjore dhe roli i politikës

Gonzato u shpreh se Bashkimi Europian ndjek me kujdes ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale për pezullimin e kërkesave për heqjen e imunitetit, duke nënvizuar se çdo nismë duhet të respektojë sundimin e ligjit dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Ai refuzoi të spekulojë mbi sulmet politike ndaj SPAK-ut nga figura si ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryeministri Edi Rama, por theksoi se ndërhyrja politike dhe sulmet ndaj gjyqësorit janë shqetësuese dhe nuk duhet të vazhdojnë.

Mesazhi për klasën politike shqiptare

Gonzato vuri theksin te bashkëpunimi konstruktiv mes shumicës dhe opozitës dhe roli i të gjithë aktorëve politikë në garantimin e standardeve demokratike dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ai përmendi vizitën e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian si një mesazh pozitiv, duke treguar se politika mund të bashkëpunojë për të arritur qëllimet e integrimit.

“Mesazhi kryesor është: udhëhiqni me shembull, garantoni hapësirë për opozitën dhe respektoni standardet demokratike dhe sundimin e ligjit,” përfundoi Gonzato.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat