Segmenti rrugor Librazhd–Prrenjas, në zonën e quajtur Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë, është bërë i pakalueshëm për shkak të rrëshqitjeve masive të tokës. Situata ka detyruar autoritetet të marrin masa të menjëhershme për sigurinë e banorëve.
Në terren do të dislokohen forcat e Ushtrisë dhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), me qëllim kontrollin e perimetrit, parandalimin e hyrjeve të paautorizuara dhe garantimin e mbarëvajtjes së operacioneve teknike.
Si pasojë e rrëshqitjes, autoritetet kanë evakuuar dy familje që jetonin pranë segmentit të dëmtuar, të cilat janë sistemuar përkohësisht në ambiente të sigurta. Ekspertët gjeologë dhe inxhinierët e ndërtimit po vlerësojnë situatën për të marrë masat e nevojshme.
Për shkak të rrezikut nga rrëshqitja dhe shembja e shtyllës së tensionit të mesëm në Linjën 110 kV Librazhd–HEC Egnatia, shtylla do të demontohet dhe do të bëhet tokëzimi i kabujve të energjisë elektrike. Si rezultat, 7 fshatra pranë zonës — Babje, Buzgar, Drapata, Dragostunjë, Ferrë, Frarë, Hotolisht, Gurëkuqe dhe HEC-i Xhyrë — do të mbeten pa energji elektrike për rreth 7 orë, nga ora 10:00 deri në 17:00.
Pamjet nga zona tregojnë situatën dramatike: rruga është e çarë dhe e rrëshqitur në mes, dherat dhe gurët vazhdojnë të lëvizin, ndërsa betoni i urës po rrëzohet gradualisht. Autoritetet lokale paralajmërojnë qytetarët të shmangin kalimin në këtë aks deri në normalizimin e situatës.





