back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 26 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetPo hetohet nga SPAK-u/ Rama “strehë” për Mirlinda Karçanajn

Po hetohet nga SPAK-u/ Rama “strehë” për Mirlinda Karçanajn

Kryeministri Edi Rama ka dale serish në mbrojtje të ish-drejtoreshës së Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie” në kuadër të hetimeve të nisura nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi AKSHI-n si një histori suksesi dhe një institucion krenarie kombëtare, duke vlerësuar punën e stafit ndër vite. Sipas tij, inxhinierët dhe drejtuesit e institucionit kanë punuar “pa orar dhe me përkushtim maksimal” për transformimin digjital të shtetit shqiptar.

Kryeministri theksoi se hetimet janë të nevojshme dhe duhet të zhvillohen pa asnjë ndërhyrje, por paralajmëroi se procesi nuk duhet të shndërrohet në një formë dënimi të parakohshëm apo presioni psikologjik ndaj punonjësve të administratës publike.

“Drejtoresha e AKSHI-t ndodhet në arrest shtëpie. Nuk dua të flas për përmbajtjen e çështjes, por ky shtet nuk mund të jetë vendi ku një institucion krenarie kombëtare, i ngritur me vite dhe i duartrokitur ndërkombëtarisht, të bëhet shesh për të mbytur psikologjikisht inxhinierë që kanë punuar pa orar,” u shpreh Rama.

Ai nënvizoi rëndësinë e prezumimit të pafajësisë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si trajtohen publikisht zyrtarët nën hetim. “Po sikur Mirlinda të jetë e pafajshme dhe jo pjesë e një grupi të strukturuar? Janë ngutur për ta masakruar publikisht, duke i vënë në kurriz vila e makina, ndërkohë që ajo jeton me qira dhe nuk posedon makinë,” deklaroi Kryeministri.

Rama shtroi gjithashtu pyetje edhe për raste të tjera zyrtarësh nën hetim, duke përmendur drejtues të institucioneve shtetërore që ndodhen prej muajsh në arrest shtëpie. Sipas tij, nëse në fund të procesit rezultojnë të pafajshëm, dëmi moral dhe profesional ndaj tyre është i parikuperueshëm.

Kreu i qeverisë theksoi se shteti duhet të gjejë ekuilibrin mes luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të individit. “Të dyja duhen bërë dhe të dyja mund të bëhen,” tha ai, duke shtuar se askush nuk duhet të paragjykohet para një vendimi përfundimtar të gjykatës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat