Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një qëndrim të fortë dhe sfidues në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partise Socialiste, duke folur hapur për situatën e krijuar rreth zv.kryeministres Belinda Balluku dhe akuzës së ngritur ndaj saj nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Rama bëri të qartë se ndaj Ballukut nuk ekziston asnjë akuzë për korrupsion, por për “shkelje të barazisë në tendera”, duke theksuar se narrativa publike po deformohet qëllimisht. Ai zbuloi se zv.kryeministrja i ka paraqitur dorëheqjen tre herë fillimisht kur iu ngrit akuza, më pas kur u pezullua dhe sërish kur u ripezullua për shkak të mosmarrjes së një vendimi nga Gjykata Kushtetuese – por ai e ka refuzuar kategorikisht çdo herë.
“Nuk do të hyjmë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihet një akuzë,” deklaroi Rama me tone të ashpra. Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një “fazë revolucionare” të drejtësisë, ku sistemi sapo ka nisur të ushtrojë pavarësinë e vet dhe për këtë arsye politika nuk mund të reagojë me mekanizma refleksivë që, në fund, dëmtojnë funksionimin e qeverisjes.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se mekanizmi i drejtimit të vendit nuk mund të “kurdiset dhe ç’kurdiset” çdo herë që Prokuroria ngre një akuzë. Ai e krahasoi situatën me praktikat europiane, duke theksuar se dorëheqjet morale nuk janë një standard i unifikuar në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Sipas tij, në disa vende ministrat qëndrojnë në detyrë deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë.
Rama pranoi se reforma në drejtësi ka prodhuar edhe “efekte anësore të dëmshme”, veçanërisht mbi administratën publike, ku sipas tij po përmbyset shpesh parimi themelor i prezumimit të pafajësisë. Ai foli për një klimë presioni që, sipas tij, po krijon pasiguri dhe stepje në vendimmarrjen administrative.
“Drejtësia ka detyrë të hetojë dhe të gjykojë e pavarur nga ne. Ne kemi detyrë të qeverisim të pavarur nga drejtësia,” theksoi Rama, duke shtuar se koha e dorëheqjeve morale do të vijë, por vetëm pasi të konsolidohet plotësisht sistemi i ri i drejtësisë.
Në një moment vetëkritik, Kryeministri u shpreh se disa e konsiderojnë atë përgjegjës për situatën aktuale, si nismëtar i reformës në drejtësi. Por ai ishte i prerë: edhe po të kthehej pas në kohë, do ta votonte sërish reformën “100 herë”, me të gjitha kostot dhe pasojat e saj.
“SPAK nuk preket, vetëm mbështetet,” deklaroi Rama, duke përjashtuar çdo ide për tërheqje apo zbehje të reformës. Megjithatë, ai kërkoi që proceset hetimore të mos kthehen në dënime të parakohshme politike apo publike.
Deklaratat e tij shënojnë një përshkallëzim të retorikës ndaj mënyrës së funksionimit të drejtësisë, por njëkohësisht edhe një riafirmim të mbështetjes për reformën që ai vetë e konsideron si një nga arritjet më të mëdha të mazhorancës socialiste.



