Tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen, ndërsa Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara përgatiten për disa ditë operacionesh ushtarake ndaj Iranit. Një burim izraelit tha për CNN se sulmet mund të zgjasin “disa ditë dhe edhe më shumë nëse do të jetë e nevojshme”.
Sipas burimeve amerikane, ushtria e SHBA-së po planifikon gjithashtu një seri operacionesh, ndërsa ish-presidenti Donald Trump i ka cilësuar sulmet si “masive dhe në vijim”.
Në deklaratën e tij të parë publike pas nisjes së sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u drejtua ndaj “të gjitha pjesëve të popullit iranian”, duke i bërë thirrje që të flakin zgjedhën e tiranisë dhe të krijojnë një Iran të lirë dhe paqësor”.
“Veprimi ynë i përbashkët me SHBA-në do të krijojë kushtet që populli i guximshëm iranian të marrë në dorë fatin e tij,” tha Netanyahu në video-mesazh.
Kryeministri izraelit falënderoi gjithashtu Donald Trump për atë që e quajti “udhëheqje historike” dhe shtoi se regjimi iranian “nuk duhet të lejohet të sigurojë armë bërthamore që do t’i mundësonin të kërcënonte mbarë njerëzimin.”



