back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaHakerët e SPAK/ Ish-drejtori i Burgjeve dhe dy të tjerë para GJKKO

Hakerët e SPAK/ Ish-drejtori i Burgjeve dhe dy të tjerë para GJKKO

Gjykata e Posaçme ka kaluar sot për gjykim dosjen ndaj tre të dyshuarve që akuzohen për sulm kibernetik dhe vjedhje të të dhënave nga kompjuterët e tre prokurorëve të SPAK.

Prokuroria ka kërkuar gjykimin e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, ish-punonjësit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Arnold Rrokaj, dhe ish-zyrtarit të burgut të Vlorës, Zambak Gjoni, për veprën penale “grup i strukturuar kriminal”.

Sulmi kibernetik ndodhi më 12 mars 2026, por u zbulua disa ditë më vonë. Sipas SPAK, hakerët tentuan të marrin të dhëna nga kompjuterët e prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini. Megjithatë, hetimi ka treguar se ata nuk arritën të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT-së.

Përveç kësaj, hakerët tentuan të ndërhyjnë edhe në emailin e ish-drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, por përpjekja dështoi për shkak të masave të forta të sigurisë që ishin vendosur nga sistemi i mbrojtjes kibernetike i Prokurorisë së Posaçme.

Prokurori i çështjes, Bledar Maksuti, kërkoi që dosja të kalojë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) për të vijuar procedurat gjyqësore.

Sulmi u be në një kohë kur SPAK ka qenë aktive në hetimin e çështjeve të mëdha korrupsioni dhe krimi të organizuar, duke bërë që incidenti të shihet si një kërcënim serioz ndaj integritetit dhe sigurisë së prokurorëve të posaçëm dhe të të dhënave që ata mbajnë.

Gjykimi i tre të dyshuarve pritet të vijojë në ditët në vazhdim, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se siguria kibernetike në institucionet ligjzbatuese mbetet prioritet i lartë për parandalimin e sulmeve të tilla në të ardhmen.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat