back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 27 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitet“Reforma vetëm në letër”/ Tabaku ngre shqetësime për korrupsionin

“Reforma vetëm në letër”/ Tabaku ngre shqetësime për korrupsionin

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësime të forta mbi funksionimin e Parlamentit dhe efektivitetin e ligjeve në vend, gjatë një tryeze të nivelit të lartë të organizuar nga Westminster Foundation for Democracy.

Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se një nga problemet kryesore të sistemit është hendeku mes ligjit dhe zbatimit, të cilin ajo e cilësoi si një problem strukturor dhe jo të rastësishëm. Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e legjislacionit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, hartohet për të përmbushur kritere formale të procesit të integrimit europian, pa prodhuar rezultate konkrete në praktikë.

Ajo vuri në dukje se, megjithëse në letër ligjet shpesh janë në përputhje me standardet e Bashkimi Evropian, mungesa e zbatimit real ka sjellë rezultate të dobëta dhe ka minuar besimin e qytetarëve tek reformat.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetja ishte dobësimi i funksionit mbikëqyrës të Kuvendit. Sipas Tabakut, Parlamenti është reduktuar në një rol formal, duke funksionuar shpesh si një “noter” i vendimmarrjeve të qeverisë. Ajo kritikoi miratimin e ligjeve pa konsultim të gjerë publik, përdorimin e procedurave të përshpejtuara si normë dhe praktikën e depozitimit të projektligjeve nga deputetë të shumicës për të shmangur filtrat institucionalë.

“Këto praktika e dobësojnë cilësinë e legjislacionit dhe krijojnë hapësirë për ligje të orientuara nga interesa të ngushta,” u shpreh ajo.

Duke u ndalur tek procesi i integrimit europian, Tabaku theksoi se ai është thelbësisht politik dhe kërkon vullnet të vërtetë për reforma, jo thjesht përmbushje formale kriteresh. Sipas saj, margjinalizimi i opozitës dhe dobësimi i rolit të komisioneve parlamentare dëmtojnë besueshmërinë e këtij procesi.

Në vijim, ajo ngriti shqetësime edhe për efektivitetin e kontrollit post-legjislativ, duke theksuar se ky mekanizëm mbetet i kufizuar kur gjetjet e tij nuk reflektohen nga qeveria. Tabaku nënvizoi se problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e mekanizmave, por te mungesa e vullnetit për t’i zbatuar ato në praktikë.

Deputetja solli në vëmendje edhe mungesën e analizave të thelluara për kontratat e Partneritetit Publik-Privat dhe koncesionet, të cilat, sipas saj, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në financat publike.

Në përfundim, Tabaku theksoi se sfida kryesore nuk është mungesa e ligjeve, por mungesa e zbatimit dhe e institucioneve që garantojnë llogaridhënie. Ajo paralajmëroi se pa një Parlament që ushtron realisht funksionin e tij mbikëqyrës, lufta kundër korrupsionit dhe avancimi drejt Bashkimit Evropian rrezikojnë të mbeten të paplota.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat