Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka deklaruar se brenda radhëve të socialistëve po diskutohen modele të ndryshme për Reformën e re Territoriale, ndërsa ende nuk është marrë një vendim përfundimtar mbi ndarjen në rajone apo ndryshimin e numrit të bashkive.
Duke folur për mediat, Demo u shpreh se në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar janë paraqitur disa alternativa, por nuk ka ende një qëndrim të unifikuar nga grupi. Sipas tij, procesi është në fazë analize dhe diskutimi.
“Janë diskutuar modele të ndryshme, por nuk ka qëndrime nga Grupi. Ne duhet të ecim përpara me procesin, po analizojmë modele të ndryshme, të cilat nuk i kemi shpikur ne,” tha Demo.
Debati për Reformën Territoriale është bërë publik edhe më herët nga bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale në Kuvend, Arbjan Mazniku, i cili ka theksuar se propozimet lidhen me ndarjen më të qartë të kompetencave të bashkive dhe rritjen e kapaciteteve për planifikim dhe zhvillim.
Sipas tij, një nga shqetësimet kryesore mbetet mungesa e specialistëve në bashkitë e vogla, çka vështirëson ofrimin e disa shërbimeve, sidomos në planifikimin urban. Në këtë kuadër, një prej opsioneve që po shqyrtohet është organizimi në rajone dhe rishpërndarja e funksioneve mes niveleve të pushtetit vendor.
Demo theksoi se, pavarësisht diskutimeve, ende nuk ka një vendim politik dhe se janë përcaktuar vetëm disa kolona bazë mbi të cilat mund të mbështetet reforma në vijim.



