Seanca e fundit parlamentare, e shoqëruar me përplasje të forta mes deputetëve Taulant Balla dhe Flamur Noka, ka sjellë reagimin e fortë të Elisa Spiropali.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali ka ngritur alarmin për funksionimin e Kuvendit, duke paralajmëruar se situata aktuale nuk është thjesht një episod tensioni, por një shenjë e një krize më të thellë institucionale.
Sipas Elisa Spiropalit, problemi nuk qëndron tek përplasjet politike në vetvete, por tek fakti që ato po humbasin qëllimin dhe po zëvendësojnë funksionin real të Parlamentit.
Ajo thekson se Kuvendi nuk po arrin më të ushtrojë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues, duke u kthyer në një arenë konfliktesh pa produkt politik.
“Konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e politikës, por sot konflikti banal po zëvendëson funksionin”, shprehet ajo.
Spiropali vë theksin tek pasojat e kësaj situate, duke paralajmëruar se dobësimi i funksionit të Parlamentit sjell edhe rënien e besimit publik.
Sipas saj, kur qytetarët humbasin besimin tek institucioni kryesor përfaqësues, dëmtohet vetë ideja e Republikës Parlamentare.
Ajo nënvizon se një sistem i tillë nuk mund të mbështetet vetëm në procedura formale, por duhet të funksionojë përmes debatit cilësor dhe kontrollit real mbi qeverisjen.
Në reagimin e saj, Elisa Spiropali paralajmëron se nëse kjo situatë vijon, rreziku shkon përtej një Parlamenti të dobët.
Sipas saj, ekziston rreziku që Republika Parlamentare të mbetet vetëm një formë pa përmbajtje, duke humbur thelbin e saj funksional.
Në fund, ajo thekson se standardet që kërkon Europa lidhen pikërisht me funksionimin real të institucioneve dhe jo thjesht ekzistencën e tyre në letër.



