Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e zyrtarit të Policisë Gentian Ndoi, i cili kundërshtonte mënyrën e emërimit të Joni Keta në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Sipas raportimit të gazetares Anila Hoxha, gjykata ka vlerësuar se procesi i përzgjedhjes dhe votimi i Ketës si drejtor i BKH-së kanë qenë në përputhje me ligjin, duke rrëzuar kështu pretendimet e Ndoit.
Ky i fundit kishte kërkuar shfuqizimin e shkresës dhe raportit të Komisionit të Përzgjedhjes, të cilat i ishin dërguar Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), duke i cilësuar si akte të marra në kundërshtim me ligjin material dhe procedural, si dhe të paarsyetuara dhe të pavlefshme.
Megjithatë, gjykata nuk i ka pranuar këto argumente, duke lënë në fuqi procesin që çoi në emërimin e Joni Keta në krye të institucionit.
Keta, 37 vjeç, ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka shërbyer për rreth 15 vite si oficer i policisë gjyqësore, fillimisht pranë strukturave të ish-Krimeve të Rënda dhe më pas në BKH, ku së fundmi ka mbajtur edhe detyrën e zv.drejtorit të komanduar.
Ai u përzgjodh pas një procesi të gjatë dhe konkurrues, ku në garë morën pjesë disa kandidatë, por vetëm një pjesë e tyre arritën të kalojnë filtrat e verifikimit të pasurisë dhe figurës. Emri i tij u miratua nga Komisioni i Përzgjedhjes, i përbërë nga tre prokurorë, dhe më pas iu propozua KLP-së, institucioni përgjegjës për emërimin e drejtuesit të BKH-së.



