back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 9 Prill, 2026
spot_img
KreuDrejtësia“Përplasje” në Gjykatën e Lartë/ Ndryshon loja për arrestin në burg

“Përplasje” në Gjykatën e Lartë/ Ndryshon loja për arrestin në burg

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë janë mbledhur këtë të enjte për të shqyrtuar një çështje me rëndësi të veçantë për sistemin e drejtësisë, që lidhet me ndryshimin e praktikës gjyqësore për masën e arrestit në burg, veçanërisht kur ajo vendoset mbi bazën e rrezikshmërisë së veprës penale.

Seanca nisi me debat procedural lidhur me mënyrën e zhvillimit të saj. Prokurori Arqile Koça kërkoi që shqyrtimi të zhvillohej me dyer të mbyllura, duke argumentuar se çështja konkrete lidhet me një person nën hetim dhe përmban elementë sensitivë.

“Çështja e sotme mbart problematika që lidhen me dy pika kryesore, njësimin e praktikës dhe rastin konkret. Ne kërkojmë që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të natyrës së çështjes. Për pjesën e unifikimit të praktikës mund të jetë e hapur, por për çështjen konkrete të mos jenë të pranishëm mediat,” u shpreh prokurori Koça.

Nga ana tjetër, avokati Luan Hasneziri theksoi interesin publik të çështjes, por u shpreh dakord që pjesa konkrete të mos transmetohej.

“Jam dakord me prokurorin që për çështjen konkrete diskutimi të zhvillohet me dyer të mbyllura,” deklaroi ai.

Pas këtyre qëndrimeve, Kolegjet e Bashkuara vendosën që seanca të zhvillohet në dy faza: një pjesë publike që lidhet me njësimin e praktikës gjyqësore dhe një pjesë të mbyllur për shqyrtimin e rastit konkret të të pandehurit Bektash Zeneli, i arrestuar në flagrancë me 7.5 kilogramë kanabis.

Rasti konkret dhe praktika ekzistuese

Relatori i çështjes, Ilir Panda, paraqiti relacionin, duke theksuar se bëhet fjalë për një të drejtë themelore të trajtuar nga Kushtetuta. Ai shpjegoi se në tetor të vitit 2025, policia në zonën e Lezhës kishte ushtruar kontroll në banesën e të pandehurit, ku u gjet një sasi lënde narkotike. Më pas, prokuroria kërkoi masën e sigurimit “arrest në burg”, e cila u pranua nga Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë.

Në vendimin e saj, kjo gjykatë ishte bazuar edhe në vendimin unifikues të vitit 2011 të Gjykatës së Lartë, që ka shërbyer si referencë për caktimin e masave të sigurimit ndër vite.

Megjithatë, pas ankimimit nga mbrojtja, Gjykata e Apelit vendosi ndryshimin e masës së sigurisë, duke e zëvendësuar arrestin në burg me arrest në shtëpi.

Sipas relatorit Panda, kjo çështje është sjellë përpara Gjykatës së Lartë për shkak të nevojës për rishikim të praktikës ekzistuese.

“Vendimi unifikues i vitit 2011 është aplikuar deri më tani nga të gjitha gjykatat, por kolegjet kanë arritur në përfundimin se duhet rishikuar, sidomos për sa i përket masave të sigurimit dhe veçanërisht arrestit në burg,” theksoi ai.

Ai renditi disa elementë kyç që kërkojnë rishqyrtim, si: arsyetimi i masës shtrënguese, proporcionaliteti me veprën penale dhe mosaplikimi i masës në rastet kur i pandehuri paraqet prova pozitive.

Debati për barrën e provës dhe standardet europiane

Në vijim të seancës, prokurori Arqile Koça paraqiti argumentet e tij lidhur me ndryshimet ligjore dhe standardet e përcaktuara nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Ai theksoi se paraburgimi vendoset nga gjykata brenda 48 orëve dhe se çdo qytetar që i hiqet liria ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës. Sipas tij, standardet europiane kërkojnë që masat e sigurisë të jenë të arsyetuara dhe të mos kenë karakter represiv.

“Konventat përcaktojnë se, pavarësisht paraburgimit, një shtetas duhet të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm. Kufizimi i lirisë nuk mund të jetë represiv, por duhet të garantojë që personi të mos i shmanget drejtësisë,” u shpreh Koça.

Ai vuri theksin edhe te ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke nënvizuar se arresti në burg duhet të jetë masa e fundit, kur të gjitha alternativat e tjera janë të papërshtatshme.

Një nga pikat kryesore të debatit ishte barra e provës. Sipas prokurorit, praktika aktuale duhet të ndryshojë në mënyrë që kjo barrë t’i takojë prokurorisë dhe jo të pandehurit.

“Barra e provës i takon prokurorit. Papërshtatshmëria e një mase sigurimi nuk mund të varet nga provat pozitive që sjell i pandehuri,” deklaroi ai.

Megjithatë, Koça ngriti shqetësimin për zbatueshmërinë e masave alternative në realitetin shqiptar.

“Masat alternative shpesh bëhen të pazbatueshme. Mund të vendosim një masë më të lehtë, por lind pyetja: si do të zbatohet ajo në praktikë?” u shpreh ai.

Qëndrimi i mbrojtjes

Nga ana e tij, avokati Luan Hasnëziri theksoi se ligji është i qartë në këtë pikë dhe se arresti në burg duhet të jetë masa e fundit.

“Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme. Kjo është një klauzolë e qartë ligjore dhe tregon se kjo masë duhet të jetë alternativa e fundit,” u shpreh ai.

Drejt një praktike të re

Me këtë shqyrtim, Gjykata e Lartë synon të harmonizojë praktikën gjyqësore me ndryshimet ligjore dhe standardet ndërkombëtare, duke sjellë një qartësi më të madhe për mënyrën e caktimit të masave të sigurisë.

Vendimi që pritet të merret nga Kolegjet e Bashkuara mund të ketë ndikim të gjerë në sistemin e drejtësisë, pasi do të përcaktojë më qartë rolin e prokurorisë dhe të gjykatës në vendosjen e arrestit në burg, si dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në respektimin e të drejtave të njeriut në proceset penale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat